Shkruan: Hisen Berisha
Lëvizja e lirë në zonën “shengen” për qytetarët kosovarë të komunitetit serb, me pasaporta të lëshuara nga zyra për Kosovën në Serbi, përbën një çështje komplekse dhe një kontroversitet politik e diplomatik që vë në pikëpyetje politikën e jashtme të BE-së. Ky zhvillim ndodh në një kontekst politik dhe historik të ndërlikuar dhe ka disa aspekte që meritojnë një shqyrtim kritik, siç është në rend të parë legjitimiteti i dokumenteve. Përdorimi i pasaportave të lëshuara nga zyra për Kosovën në Serbi ngre pyetje për legjitimitetin e këtyre dokumenteve. Këto pasaporta janë një sinonim i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe përdorimi i tyre mund të konsiderohet si një formë e vazhdimit të ndikimit serb në çështjet e brendshme të Kosovës.
Kjo lëvizje mund të interpretohet, po ashtu, si një sfidë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Duke lejuar përdorimin e këtyre pasaportave, BE-ja dhe vendet anëtare të Shengenit po dërgojnë një mesazh të gabuar që nënvlerëson statusin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran, i konfirmuar ndërkombëtarisht 14 vite më parë nga GJND.
Kjo politikë e BE-së krijon një ndjenjë pabarazie dhe diskriminimi ndërmjet komuniteteve brenda Kosovës, duke zvetënuar komunitetin destruktiv dhe të margjinalizuar serb në Kosovë, të cilët po shpërblehen në emër të kësaj sjelljeje dhe mosnjohjes së shtetit të pavarur të Kosovës si shtetin e tyre.
Ky vendim i BE-së do të ndikojë destruktivisht në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Vendime të tilla do të krijojnë tensione dhe të komplikojnë më tej negociatat, duke i bërë më të vështira përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve. Ky është inkurajim për refuzim të çfarëdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve apo njohjen e ndërsjellë.
Kjo politikë e ndjekur nga BE, gjatë procesit të ndërmjetësimit si edhe me këtë vendim, po përçon mesazhin e rrezikimit të së ardhmes së Kosovës dhe kushtit bazë për stabilitet politik dhe paqe në rajon, njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë si shtete që dolën nga shpërbërja e ish-RFJ me luftë.
Pikërisht në 14-vjetorin e vendimit të GJND-së mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo politikë s’ka si perceptohet ndryshe veçse si një hap mbrapa. Për Republikën e Kosovës është jetike që vendimet ndërkombëtare të respektojnë dhe mbështesin sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, duke mos krijuar precedente me ndërhyrje të jashtme në punët e brendshme të saj.
Ndërsa lëvizja e lirë është një vlerë e rëndësishme e BE-së, për çka Kosova si palë në dialogun e secesionimit me Serbinë është e detyruar që çdo politikë të respektojë plotësisht integritetin dhe sovranitetin e vendeve të përfshira. Kjo përfshin një qasje të kujdesshme dhe të balancuar për të siguruar që të mos krijohen tensione të reja ose të përkeqësohen ato ekzistuese. Një veprim politik që cenon sovranitetin politik dhe ndikon në punët e brendshme duke degraduar integritetin e shtetit të Kosovës, pa arritur të gjitha njohjet e vendeve të BE-së dhe integrimin e plotë në mekanizmat ekonomik dhe të sigurisë ndërkombëtare, është një casus belli për një gjendje konflikti të ri në Ballkan, Evropë e botë. Kjo dërgon mesazhe inkurajuese edhe në shtetet hegjemoniste që po destabilizojnë situatën në përmasa globale, si Rusia dhe shumë vende të udhëhequra nga organizata të kualifikuara ndërkombëtarisht si terroriste.
Kjo rrethanë që u krijua, e që nuk është e çastit apo e papritur, ngase është theksuar si mundësi por ka osciluar mes ambicies së komunitetit të margjinalizuar serb dhe partisë politike që i përfaqëson ata në kuvend apo zyrës së tyre përfaqësuese në Beograd, dhe mosveprimit përtej deklarativ që kjo procedurë e pasaportizimit zë qytetarët e komunitetit serb me dokumente të shtetit që i takojnë dhe shfrytëzojnë benefitet dhe kryejnë obligimet ndaj tij. Kritikat godasin edhe mbi politikën e qeverisë Kurti në lidhje me mosimplementimin e marrëveshjeve (përfshirë edhe Marrëveshjen e Washingtonit) dhe marrëveshjet që kanë kaluar procedurat kushtetuese si ratifikimin parlamentar dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, që kanë një ndikim të rëndësishëm në situatën aktuale.
Tashmë janë identifikuar pikat e marrëveshjeve që janë në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe që kanë kontribuar në tensionet në dialogun Kosovë-Serbi, me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë ndikuar në perceptimin e Kosovës si një partner jo i besueshëm në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Pika 7 e Planit Franko-Gjerman dhe aneksi i Ohrit me statutin e BE-së për Asociacionin, që përfshin autonomi territoriale, janë në kundërshtim me parimin e unitaritetit të shtetit, sepse ato minojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Këto janë në kundërshtim edhe me Platformën e bisedimeve që është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Megjithatë, kjo rezistencë e Prishtinës, e shfrytëzuar nga Beogradi për të krijuar status quo, ka kontribuar në krijimin e një vakumi që BE dhe Serbia e kanë shfrytëzuar për të shtyrë përpara agjendat e tyre.
Marrëveshjet teknike për normalizim kanë përcaktuar qartë se dokumentet shtetërore të Kosovës duhet të pranohen nga të gjitha komunitetet etnike brenda saj, përfshirë komunitetin serb. Megjithatë, implementimi i pjesshëm ose mungesa e implementimit të këtyre marrëveshjeve nga ana e qeverisë Kurti ka krijuar një situatë ku BE ka ndërmarrë hapa që interpretohen si mbështetje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në versionin e pranuar nga qeveria sipas statutit me autorësi të BE-së. Prandaj, veprimi i BE-së për të lejuar përdorimin e pasaportave të lëshuara nga zyra për Kosovën në Serbi mund të shihet si një implementim i heshtur i Statutit të BE-së për Komunat me shumicë serbe.
Ky është një precedent që e kisha paralajmëruar që me pranimin e tij, është i rrezikshëm dhe mund të sjellë vendime të tjera që anashkalojnë proceset kushtetuese të Kosovës. Një shembull është Statuti i pranuar nga qeveria në tetor 2023, që mund të çojë në vendime të tjera të interpretuara dhe implementuara nga BE-ja, pa vlerësimin e kushtetutshmërisë nga ana e Kosovës, pasi që me dakordimin e Kryeministrit Kurti është privuar nga kjo e drejtë apo detyrim kushtetues.
Përfundimisht, politika e qeverisë Kurti për mosimplementimin e marrëveshjeve të mëparshme dhe arritjen e marrëveshjeve të vitit 2023, me detyrimet ndërkombëtare për Kosovën, ka krijuar një situatë ku BE-ja dhe Serbia kanë ndikuar në zhvillimet e brendshme të Kosovës. Kjo mund të shihet si një shkelje e integritetit politik të Kosovës dhe një precedent për veprime të tjera që mund të minojnë sovranitetin e saj.