Ditën të ardhshme, vëmendja pritet të jetë rreth zhvillimeve në Gjykatën Speciale të Hagës.
Të dielën në Strasburg do të mbahet protesta e radhës e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës kundër Dhomave të Specializuara.E në anën tjetër, të hënën, pritet nisja e dëshmisë tejet të rëndësishme e komandantit Wesley Clark.
Kjo në fund të gjykimit në rastin e krerëve të UÇK-së, pasi Clark është dëshmitari i fundit i mbrojtjes, dhe kjo pritet t’i hap rrugë fazave të fundit të procesit.
Këshilli Koordinues i Shoqatave të Dala nga Lufta ka ftuar për pjesëmarrje masive në protestën nesër në Strasburg, vendin ku u miratua raporti i Dick Martyt.
“UÇK-ja është pasuri e përbashkët kombëtare, vlerë historike dhe morale që bashkon shqiptarët pa dallim bindjeje, krahine, partie e feje. Mbrojtja e vlerave të saj është detyrë kombëtare e çdo institucioni, partie e shoqate shqiptare, kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët. Ne kërkojmë drejtësi të vërtetë, jo drejtësi selektive; respekt për sakrificën, jo dënim të historisë sonë. Lufta Çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë ishte, është dhe do të mbetet faqe e lavdishme e historisë sonë kombëtare — vlerë evropiane e lirisë dhe e drejtësisë. Prandaj, Këshilli Koordinues i Shoqatave të dala nga Lëvizja dhe Lufta jonë Çlirimtare kërkon shfuqizimin e Rezolutës që çoi në krijimin e Gjykatës speciale dhe rishikim të gjithë procesit që çoi në krijimin e kësaj Gjykate të padrejtë”, thuhet në komunikatë.
Prishtinë, Hagë e Tiranë. Tri kanë qenë destinacionet për protesta nga Organizatat e Veteranëve të Luftës.E Strasburgu, pritet të jetë destiacnioni i radhës.
Me pjesëmarrje të qindra-mijëra personave, protestat u organizuan me thirrjen për drejtësi nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Megjithatë, protestat e veteranëve, Gjykata Speciale po i quan aktivtete politike.
Në një përgjigje për Nacionalen, nga Gjykata kanë thënë se nuk i komentojnë këto zhvillime, dhe se janë të fokusuar në zbatimin e mandatit për gjykime të drejta.
“Si gjykatë, Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të kryer gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, siç kërkohet nga Shkëmbimi i Letrave midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Kushtetuta e Kosovës, si dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ne nuk komentojmë mbi zhvillimet ose aktivitetet politike”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Nacionalen.
Fillimisht, protesta e parë ishte mbajtur në Prishtinë. Aty masës së madhe me protestues iu drejtuan Hysni Gucati, Ali Ahmeti dhe Nevenka Tromp.Më pas, protesta e dyta u mbajt në Hagë, afër Dhomave të Specializuara të Kosovës. Atje foli edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.
Kurse, protesta e fundit u mbajt në Tiranë, ku folën Hysni Gucati, Alfred Moisiu dhe Ali Ahmeti.Gjithashtu, pati edhe një aktivitet me motoçikleta, ku shumë motoristë shkuan afër Gjykatës Speciale.
Thirrjet kryesore në këto protesta kanë qenë për drejtësi në Gjykatën Speciale të Hagës, sidomos pas pranimit të disa provave nga Serbia.
Lidhur me protestat, në vitin 2022, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte deklaruar se kanë bërë disa sondazhe të cilat tregojnë për besueshmëri ndaj Gjykatës.
“Në fakt, sondazhi ynë rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se, pavarësisht atyre që vokalisht kundërshtojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedimet do të jenë të drejta dhe se do të bëjmë çfarë të mundemi për të mbrojtur dëshmitarët”, kishte deklaruar ajo.






