Halil Geci, vëllai i Gani Gecit, ka akuzuar sërish opozitën për tradhti kombëtare.
Duke i dalë në krah Albin Kurtit, ai ka vlerësuar se tradhtia më nuk flet serbisht, por shqip nga foltorja e Kuvendit.
Halil Geci, i cili është axha i deputetes së LDK-së, Marigona Geci, ka vlerësuar se partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës po e ndihmojnë Serbinë dhe Rusinë.
“Në dardani, tradhtia nuk flet më serbisht – flet shqip, nga foltorja e kuvendit! Deputetë të Kuvendit të posa zgjedhur – vegëlat e armikut që flasin në emër të popullit Nën petkun e deputetit dhe me votën e këtij populli të martirizuar, po e ndihmoni Serbinë dhe Rusinë ta godasin Kosovën nga brenda. Në vend që të mbroni interesat kombëtare, po i shërbeni axhendave që e duan Kosovën të përçarë, të dobët dhe pa ushtri. Veprimet tuaja të liga dhe të papërgjegjshme, të nxitura nga egoja dhe servilizmi ndaj interesave të huaja, janë rrezik i hapur për sigurinë dhe ekzistencën e Republikës së Kosovës! Kosova ka kaluar nëpër flakët e ferrit – me vrasje, dhunime, dëbime e shkatërrim. Dhe tani, ju, që duhet të jeni mbrojtës të këtij shteti, po i bëni argatin e duhur Rusisë dhe Serbisë, duke sabotuar nga brenda”, ka shkruar ai, duke i vazhduar kritikat e tij ndaj partive që deri dje kanë qenë në opozitë.
“Rusia në OKB kërkon rrëzimin e Qeverisë sonë sepse po fuqizon mbrojtjen e shtetit. Ju, në të njëjtën linjë me ta, bojkotoni Kuvendin dhe pengoni ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës. Kjo nuk është opozitë – kjo është tradhti! Mos harroni: vota e popullit nuk është licencë për me shitur Atdheun. Secili deputet, veç e veç, do të mbajë përgjegjësi – morale, politike dhe historike. Zgjedhjet po afrojnë. Dhe populli do të flasë. Kush voton për tradhtarët, po voton kundër Kosovës”, ka shkruar Geci.
Deputetja e LDK-së, Marigona Geci, është vajza e Gani Gecit dhe mbesa e Halil Gecit.