Vëllai i deputetes Fitore Pacolli të VV-së, Fitim Pacolli, ka përdorur gjuhë fyese ndaj ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, duke i quajtir “palaço patetikë”, pasi ambasada reagoi për publikimin e raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, në të cilin Kosova shënoi rënie drastike.
“Kosova ka rënë për gjithsej 24 vende në indeksin e fundit për lirinë e shprehjes të organizatës “Reporterët pa Kufij”, duke u vendosur krejt në fund në krahasim rajonal – madaje prapa Serbisë” – shkroi ambasada gjermane.
“Raporti lexohet si libër detyrash për qeverinë e re, duke i përvijuar qartazi hapat e nevojshëm për të siguruar shtyp të lirë, i cili është thelbësor për secilën demokraci kumbuese dhe të qëndrueshme” – thuhet më tej në shkrimin e ambasadës gjermane.
Ky vlerësim nuk i pëlqeu fare Fitimit të Pacollëve. Duke u shprehur anglisht në hapësirën e komenteve në postimin e ambasadës gjermane, vëllai i deputetes së VV-së shkroi: “Marrëzi e shtrembëruar, kjo renditje nuk do të thotë asgjë. Është një paradë palaçosh.”
Nuk e la me kaq. Doli menjëherë nga tema që në fjalinë e tretë, duke e “harruar” raportin për lirinë e mediave në Kosovë, e duke iu drejtuar ambasadës për gjendjen në Gjermani, ku pati akuza të rënda e duke e përmbyllur shkrimin me fyerje.
“Gjermania e ka shkatërruar vendin e vet, ju jeni duke zbatuar kamera për regjistrimin e fytyrës të stilit kinez, duke arrestuar qytetarë për të ashtuquajturat postime “raciste” në Facebook dhe ju doni të na tregoni neve se liria e shtypit ka rënë në Kosovë. Palaço patetikë” – shkroi Fitim Pacolli.