Mesfushori Veldin Hoxha ka rrëfyer për jetën e tij në Rusi, të kaluarën në Kroaci dhe vendimin për të përfaqësuar Kosovën.
Ai shprehet i kënaqur që në të ardhmen do të ketë mundësinë të luajë për përfaqësuesen kosovare.
Më parë, Hoxha ka qenë pjesë e të gjitha moshave të reja të Kroacisë. Për ekipin U21 të Kroacisë ka zhvilluar 24 paraqitje.
“Kosova më dëshironte me të vërtetë,” është shprehur Hoxha në një intervistë për median kroate “Rijeka Danas”.
“Bisedimet kanë zgjatur për më shumë se dy vite. Ishte marrëzi nga ana ime që vonova kaq shumë. Ata më treguan qartë se më vlerësonin dhe kjo më bindi. Jam i lumtur për zgjedhjen që bëra,” tha ai.
Pritet që Kosova ta ftojë mesfushorin e Rubin Kazan për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Zvicrës dhe Suedisë. Të dyja sfidat do të zhvillohen në muajin shtator.
Për “Dardanët”, këto janë përballjet e para kualifikuese në këtë kampanjë. Me Zvicrën do të luajnë në Bazel, ndërsa Suedinë do ta presin në Prishtinë.