Shefi i kabinetit të presidentes, Blerim Vela, është konfrontuar me Petar Petkoviqin, drejtor i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për çështjen e veriut.
Vela, me anë të një postimi në ‘Twitter’, fillimisht ka komentuar arrestimin e serbit të dyshuar për disa vepra penale në zonën veriore të Kosovës, teksa ka thënë se “banditët e Radojiçiqit do të dalin përpara drejtësisë”.
“Një i dyshuar për djegien e veturave të serbëve vendas në veri të Kosovës është arrestuar nga Policia e Kosovës. Një person me histori të gjatë kriminale! Bashkësitë lokale në veri mund t’i besojnë forcës policore multietnike në Kosovë. Banditët e Radojiçiqit do të sillen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale”, ka shkruar ai.
Lidhur me këtë, ka reaguar Petkoviq, i cili e ka quajtur Velën “trim” dhe “zyrtar të vogël”.
“Blerim Velja e ka inkurajuar veten që të përmend Milan Radoiçiqin në Twitter, ai është kaq “trim”. Ai do të jepte gjithçka për të pasur, të paktën në shtëpinë e tij, respektin që Radoiçiq ka tek të gjithë serbët në Kosovë. Lërini ëndrrat e një zyrtari të vogël të shkojnë”, ka deklaruar ai.
Vela i është kundërpërgjigjur Petkoviqit duke kërkuar të mos veprojë si “mburojë politike” ndaj Radojiçiqit.
“Petre, në vend që të denonconi djegien e veturave të serbëve vendas vetëm se i kanë të vetmet targa të ligjshme – RKS, ju veproni si mburojë politike për taktikat kriminale dhe terrorizuese të djalit tuaj Radoiçiq. Kosova veriore nuk është Sava Mala ku mund të mbretërojnë banditë dhe të mbeten të pandëshkuar”, ka deklaruar Vela.