E ardhmja e Vedat Muriqit megjithatë mund të jetë në Belgjikë.
Sulmuesi kosovar nuk arriti t’i kalonte vizitat mjekësore në Club Brugge, i cili e riktheu mbrapshtë atë në Itali.
Më pas, 28 vjeçari e bëri edhe një vizitë mjekësore në Lazio, ku e kaloi atë me sukses.
“Biancocelesti” kishin arritur marrëveshje paraprakisht me Club Brugge për 10,5 milionë euro për shitjen e prizrenasit, por më pas belgët e kërkuan lojtarin në formë huazimi ose për një çmim më të lirë.
Kjo ishte e papranueshme për klubin italian, i cili e paralajmëroi ankesën në FIFA.
E tash, mediat italiane shkruajnë se Club Brugge është rikthyer në garë për ish-futbollistin e Fenerbahçes.
Sipas mediumit “La Repubblica”, Muriqi megjithatë mund të përfundojë në Belgjikë gjatë kësaj jave ose javën tjetër, normalisht nëse i kalon vizitat mjekësore në tentimin e dytë.
Krahas Club Brugge, interesim për të kanë shfaqur edhe Mallorca në Spanjë, Hull City në Angli dhe Galatasaray në Turqi.
Aktualisht, futbollisti kosovar po ushtron i vetëm, në pritje të risive për të ardhmen e tij.