Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi pati fatin e Mallorcas në këmbët e tij, por fatkeqësisht dështoi.
“Pirati” e humbi penalltinë në minutën e 92-të të ndeshjes, derisa skuadra e tij po ashtu e humbi epërsinë në takimin ndaj Elches, për ta mbyllur me humbje.
Mallorca u mposht nga Elche si mysafire, edhe pse udhëhoqi e para, në minutën e 58-të me anë të golit të Pablo Torres, në të cilin qe i përfshirë edhe Vedat Muriqi.
Mirëpo, ndeshja përfundoi 2-1, me Elchen që fillimisht barazoi me anë të Rafa Mir, në minutën e 62-të, deisa nëntë minuta më vonë e mori epërsinë.
Ishte Tete Morente që shënoi për 2-1, me duelin e zhvilluar për një vend në La Liga.
Me këtë humbje, Mallorca tashmë gjendet në vendin e 18-të, një pikë më pak se Elche që është e 16-ta me 29 pikë.
Mes tyre është Alavesi me 28 pikë, por me një ndeshje më pak.
Muriqi dështoi të shënojë golin e tij të 19-të në La Liga sivjet, duke mbetur në këtë shifër golash, të paktën deri nga kthimi i ndeshjeve të kombëtareve.
Sulmuesi 31-vjeçar është i ftuar për ndeshjen jetike të kombëtares së Kosovës për ndeshjen e “play-offit” të Botërorit 2026 ndaj Sllovakisë, që luhet më 26 mars.






