Ka vdekur ish-kryetari i komunës së Klinës, Prenkë Gjetaj, njëherit ish kryetar i Komisionit për Persona të Pagjetur të Luftës në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Njoftimin e ka dhënë kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, përmes një postimi në Facebook.
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Me dhimbje të madhe kam marrë lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit, atdhetarit e ish-kryetarit të komunës së Klinës, Prenkë Gjetaj.
Prenkë Gjetaj ka qenë personalitet i shquar i jetës pedagogjike, politike dhe shoqërore në Klinë dhe Kosovë. Ai ka dhënë një kontribut të madh në Klinë, si mësimdhënës e pastaj edhe si kryetar i komunës. Kontribut e angazhim maksimal ka dhënë edhe si kryetar i Komisionit për Persona të Pagjetur të Luftës në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ai do të mbahet mend si një njeri i dashur, i sjellshëm, i afërt, punëtor, me të gjithë e mbi të gjitha i sinqertë e atdhetar. Kjo është një humbje e madhe për familjen Gjetaj, Klinën dhe Kosovën.
Në emrin tim dhe të Komunës së Klinës i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Prenkën!