Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se në spitalin Rajonal të Pejës ka vdekur një i burgosur
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për të burgosurin A.J., viti i lindjes 1974, dhe sipas tyre që nga fillimi i njëjti është pranuar me probleme të rënda shëndetësore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, njofton opinionin publik se sot rreth orës 13:40 në Spitalin Rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë i burgosuri A.J, viti i lindjes 1974. I burgosuri nga fillimi i mbajtjes së dënimit është pranuar me probleme të rënda shëndetësore, si pasojë tërë kohën është trajtuar në Stacionarin e burgut sipas rekomandimeve të specialistëve përkatës të ShSKUK-së.” – thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, ShKK ka njoftuar se që nga 13 marsi 2024, i njëjti ishte shtrirë duke u trajtuar në Spitalin e Pejës, dhe se sot ka ndërruar jete në Kujdesin Intensiv.
“Kohëve të fundit, që nga 13.03.2024 ka qenë i shtrirë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku edhe ka ndërruar jetë në Kujdesin Intensiv të këtij spitali. Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.” – thuhet në njoftim.