Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar se ka vdekur Feim Elshani.
Elshani ka dëshmuar kundër krimeve të kriminelit serb, Slobodan Millosheviq, gjatë gjykimit të tij në Hagë.
“Baca Feim ishte ndër ata njerëz që nuk ankoheshin dhe nuk mallkonin për gjendjen e tyre sa herë që hasin në vështirësi e rreziqe. U bë pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës, kur Millosheviqit i doli përballë në gjyqin kundër tij në Hagë dhe veç të tjerave, ia tregoi krimet e turpshme të armatës së tij që dogji e shkrumboi tri gra të vjetra e të sëmura, e atij iu kujtuan copat e predhave serbe që kishte gjetur e depozituar si prova krimi Feimi për Gjykatën e Hagës.” – ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e njeriut të mirë e të respektuar Feim Elshani nga fshati Nagac, i cili vite më parë dëshmoi për krimet serbe para Milosheviqit në Hagë.
Baca Feim do të mbahet gjatë në mend për kontributin e dhënë në rrugën e lirisë, për vuajtjet e mëdha dhe pengesat e shumta që kaloi si dhe për vullnetin dhe energjinë e duhur që ai e dëshmoi deri më sot.
Baca Feim ishte ndër ata njerëz që nuk ankoheshin dhe nuk mallkonin për gjendjen e tyre sa herë që hasin në vështirësi e rreziqe. U bë pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës, kur Millosheviqit i doli përballë në gjyqin kundër tij në Hagë dhe veç të tjerave, ia tregoi krimet e turpshme të armatës së tij që dogji e shkrumboi tri gra të vjetra e të sëmura, e atij iu kujtuan copat e predhave serbe që kishte gjetur e depozituar si prova krimi Feimi për Gjykatën e Hagës.
U kujtoftë e u nderoftë ndër mote jeta dhe vepra e tij atdhetare!
I paharruar qoftë kujtimi për Feim Elshanin!