Përmes një reagimi për media nga KMLDNJ kërkojnë që të shtohet numri i inspektorëve të komunës si dhe të ekipeve mobile që do të inspektonin kantierët e ndërtimit.

“KMDLNj edhe më parë ka kërkuar që punëtorët në ndërtimtari të kenë kushte të përshtatshme për punë duke mos iu ekspozuar rrezikut nga lëndimet apo për jetën e tyre. Me rënien e temperaturave, kushtet për punë përkeqësohen andaj kërkohet angazhim shtesë i përgjegjësve (punëdhënësve) e që duket se nuk po ndodhë.

KMDLNj ka kërkuar që të shtohen numri i inspektorëve të punës , ekipeve mobile që do të inspektonin kantierët e ndërtimit , nëse respektohen rregullat apo standardet për të punësuarit e që do të garantonte sigurinë e tyre”, thuhet në reagim.

Lexoni më poshtë reagimin e plotë të KMDLNJ-së:

Limon Musliu, pjesëtar i FSK – ës humbi jetën pasi ra nga kati i 11 – të i një ndërtese ku ishte duke punuar, si punë shtesë. KMDLNj edhe më parë ka kërkuar që punëtorët në ndërtimtari të kenë kushte të përshtatshme për punë duke mos iu ekspozuar rrezikut nga lëndimet apo për jetën e tyre. Me rënien e temperaturave, kushtet për punë përkeqësohen andaj kërkohet angazhim shtesë i përgjegjësve (punëdhënësve) e që duket se nuk po ndodhë.

KMDLNj ka kërkuar që të shtohen numri i inspektorëve të punës , ekipeve mobile që do të inspektonin kantierët e ndërtimit, nëse respektohen rregullat apo standardet për të punësuarit e që do të garantonte sigurinë e tyre. Megjithatë duket se është një shpërputhje e madhe midis numrit të vogël të inspektorëve të punës dhe vendeve të shumta që duhet të inspektohen në fushën e ndërtimit andaj KMDLNj – ë rekomandon institucionet të angazhojë ndonjë kompani të specializuar  që ka kapacitet fizik dhe profesional të mbikëqyrë vend-punimet në mënyrë që të parandalohen rastet e ngjashme në të ardhmen. Gjykatat duhet t’i japin përparësi trajtimit të këtyre rasteve duke mbrojtur intereset e punëtorëve që pësojnë lëndime, invaliditet apo kanë përfundim fatal. Zhdëmtimi, siç është bërë deri më tani as për së afërmi nuk përmbush nevojat e viktimave dhe familjeve të tyre.

Është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut që i punësuar përmes punës dhe pagës ta sigurojë një jetë të dinjitetshme për vete dhe familjen gjë që nuk është përmbushur në rastin e Limon Musliut i cili , përveç punës në FSK-së ka qenë i detyruar ta bëjë edhe një punë shtesë e që i ka kushtuar me jetë. KMDLNj – ë kërkon përgjegjësi për ata që kontribuuan për këtë përfundim tragjik sikur që kërkon drejtësi për të ndjerin dhe familjen e tij.

11 nëntor 2024 Prishtinë