Vdekja në Austri nuk është vetëm aksident, është edhe dështim politik, ekonomik dhe në qeverisje

- Advertisement -

Ngushëllime të sinqerta familjeve për humbjen tragjike të tre punëtorëve nga Kosova në Austri, në vendin e tyre të punës. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, që na kujton edhe një herë sa e vështirë dhe shpesh e rrezikshme është rruga e migrimit dhe puna jashtë vendit për qytetarët tanë.

Kjo tragjedi duhet të shërbejë edhe si një alarm serioz për institucionet e Kosovës. Duhet më shumë angazhim për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes, për rritjen e punësimit dhe për ndërtimin e një mirëqenieje reale që e bën jetën të përballueshme në Kosovë.

Vitet e fundit po përballemi me një valë të madhe të largimit. Vlerësohet se rreth 200,000 qytetarë janë larguar nga Kosova brenda një mandati qeveritar. Gjithashtu, dekaden e fundit, fshatrat dhe rajonet po zbrazen me ritme shqetësuese ku ndoshta mbi 300,000 persona janë larguar nga zonat rurale për shkak të mungesës së mundësive dhe kostos së lartë të jetesës.

Politikat qeveritare kanë pasur ndikim në këtë trend.

Sidomos vendimet në sektorin e energjisë kanë rënduar barrën mbi bizneset, me rritje të çmimeve deri në 3-4 herë dhe me përjashtimin e tyre nga energjia më e lirë. Kjo ka dobësuar ndjeshëm kapacitetin e tyre operativ dhe zhvillimor.

E keqmenaxhimi me energji ka ndikuar edhe në inflacion astronomik dhe rritje të cmimeve ku e kanë bërë jetën e papërballueshme për shumë familje kosovare. Si rrjedhojë, ata detyrohen të migrojnë dhe kërkojnë punë jashtë vendlindjes së tyre.

Kjo situtë ka humbur shpresat për një të ardhme më të mirë, prandaj, shumë familje e njerëz po kërkojnë shpëtim jashtë vendit. Kjo duhet të adresohet sa më parë, se po e dëmton edhe Kosovën dhe potencialin e saj afatmesëm dhe afatgjatë.

Po ashtu, tregu i punës mbetet i paorientuar dhe i paqëndrueshëm. Ka mungesë të të dhënave të rregullta dhe transparente, ndërsa shumë anomali vazhdojnë të mbesin të paadresuara.

Zhvillimi rajonal është lënë pas dore. Rreth 50% e aktivitetit ekonomik apo gjysma e GDP-se është përqendruar në dhe rreth Prishtinës, duke krijuar presion të madh mbi rajonet tjera dhe duke nxitur largimin e të rinjve dhe fuqisë punëtore.

Kjo nuk është vetëm një tragjedi individuale por është pasojë e një realiteti ekonomik dhe social që kërkon reflektim dhe veprim.

Institucionet, partitë politike dhe vendimmarrësit duhet të ndiejnë përgjegjësi dhe të punojnë më shumë për të krijuar kushte që qytetarët të mos detyrohen ta kërkojnë jetën jashtë, shpesh me kosto kaq të lartë.

Të ngjashme

Të fundit