Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin lidhur me vdekjen e këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi – Shemi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se policia është njoftuar për rastin rreth orës 15:00. Sipas tij, pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në rrugën UÇK në Prishtinë. Me të marrë njoftimin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull,” ka deklaruar Pllana.
Ai shtoi se, në koordinim me prokurorin e shtetit, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.






