Në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Dëshminë pranë kësaj gjykate do ta vazhdojë edhe sot eksperti i mjekësisë ligjore, John Clarke.
Në dëshminë gjatë së mërkurës ai tha se në raportin e autopsisë për disa viktima prej të cilave ai ka nxjerrë konstatime kishte diçka të pazakontë.
Dëshmitari pohoi se disa nga gjurmët e lëndimeve të marra me armë zjarri ndaj viktimave janë të palogjikshme dhe ka diçka të pazakontë. Ai gjithashtu pohoi se nuk ka pasur dhe nuk ka një diagram apo fotografi mbështetëse ku të mbështetet ai për përfundimet e tij.
“Duken të palogjikshme sepse plaga në hyrje dhe në dalje janë shumë afër. Plaga e hyrjes dhe e daljes është shumë e pazakontë. Kjo mund të ndodhë ndonjëherë- jo se nuk ndodhë, por habiten se pse nuk ka bërë asnjë koment patologu. Nëse do të shikoja një rast të tillë dhe do të hoja që këtu ka hyrë dhe këtu ka dal plumbi, mendoja me vete që kjo është e pazakontë dhe do të bëja një shpjegim për këtë. Mbase patologu ka pasur të drejtë në gjetjet e veta, por jam i befasuar se pse nuk është theksuar dhe pse nuk është thënë që është e pazakontë?! Pse nuk ka asnjë shpjegim për këtë?!”, tha Clarke.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.