Deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovë nesër në Kuvend do t’u bashkohen edhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Pjesëmarrjen e AAK’së në këtë seancë e ka konfirmuar për Reporterin deputetja e zgjedhur, Time Kadriaj.
“Po, ne do të jemi në Kuvend nesër”, ka deklaruar Kadriaj.
Ndërkohë, pjesëmarrjen e PDK’së, e kanë konfirmuar burime brenda kësaj partie.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës duhet të thirret më së largu nesër, pas ndërprerjes së seancës së djeshme.
Ai ka thënë se kështu e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, andaj ka thënë se deputetët e LDK-së do të jenë në seancën e cila duhet të thirret.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të certifikuar dhe partive parlamentare që të jenë prezent në këtë seancë.
“Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet e të thirret më së largu çdo 48 orë. Nesër, nga ora 10:00, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e LDK-së do të jenë prezent në seancën që duhet të ndodhë. LDK-ja i fton të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent në këtë seancë”, ka shkruar Abdixhiku.
Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar dje, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet, teksa sot i është drejtuar Presidentes Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.