24.2 C
New York
Sunday, August 3, 2025

Buy now

“Vatra” apel ndaj SHBA dhe vendeve anëtare të QUINT: Lista Serbe, lidhje të rrezikshme me struktura kriminale dhe terroriste

- Advertisement -

“Vatra” apel ndaj SHBA dhe vendeve anëtare të Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”, në emër të bashkësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbrojtje të vlerave demokratike, shpreh shqetësimin më të thellë lidhur me zhvillimet destabilizuese që po vijnë nga strukturat politike dhe kriminale të lidhura me Listën Serbe në Kosovë.

Ka indikacione të mjaftueshme që aludojnë dhe lidhin drejtuesit e Listës Serbe me grupe kriminale dhe terroriste të drejtuara nga Milan Radoiçiq – i njohur për aktivitetet e tij të dhunshme dhe të rrezikshme në veri të Kosovës dhe më gjerë.

Këto burime tregojnë shumë qartë lidhjen e Listës Serbe me këto grupe kriminale që kanë për qëllim destabilizimin e veriut dhe se nuk përfaqësojnë aspak interesat e komunitetit serb në Kosovë, por përkundrazi, dëmtojnë integrimin e tyre në institucionet demokratike të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, këto veprime kriminale dhe bashkëpunime të fshehta përkojnë me axhendat destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe aleatëve të tij, përfshirë Federatën Ruse, që vazhdojnë të investojnë në tensionimin e situatës në Ballkanin Perëndimor me qëllim sabotimin e paqes, sigurisë dhe integrimeve euroatlantike.

Në këtë kontekst, Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i bën thirrje të drejtpërdrejtë Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe vendeve anëtare të QUINT-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia), që të trajtojnë me prioritet këtë çështje jetike për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Është jetike që Lista Serbe dhe lidershipi i saj aktual të hetohen seriozisht dhe në mënyrë të pavarur për bashkëpunim me grupet kriminale dhe terroriste.

Po ashtu, apelojmë që ndaj çdo aktori politik që bashkëpunon me strukturat kriminale dhe saboton funksionimin e shtetit të Kosovës të merren masa të qarta politike dhe ligjore, përfshirë sanksione të drejtpërdrejta dhe ndalim të përfshirjes në institucionet demokratike të Kosovës.

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm si shtet demokratik dhe multietnik, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë. Kjo arritje nuk duhet të komprometohet nga elementë të cilët përdorin mjetet e dhunës, shantazhit dhe krimit për të përçarë qytetarët dhe për të minuar themelet e shtetësisë.

Në emër të diasporës shqiptare në SHBA dhe më gjerë, ritheksojmë përkushtimin tonë për një Kosovë të sigurtë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse – ku të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, të jetojnë me dinjitet, barazi dhe nën sundimin e ligjit.

Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”
Dr. Elmi Berisha

Të ngjashme

Të fundit