Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova ka treguar përkushtimin e saj sa i përket rrugës drejt përafrimit me BE.
Varhelyi, këtu ka përmendur qëndrimin e Kosovës rreth agresionit rus në Ukrainë. Ai ka thënë se është një gjë që duhet të çmohet, duke marrë parasysh sfidat gjeopolitike që po i shkakton kjo luftë.
“I kemi prekur të gjitha elementet e progresit që ka arritur Kosova dhe besoj që nëse ka një porosi të qartë nga takimi ynë dhe një porosi e qartë që gjithmonë vjen nga Kosova dhe Prishtina dhe kjo do të ishte që Kosova është shumë e përkushtuar sa i përket përafrimit me BE. Ju keni treguar zotimin tuaj jo vetëm me fjalë, por edhe duke na bashkuar neve të gjithë në përkushtime shumë të qarta sa i përket qëndrimit tonë rreth agresionit rus ndaj Ukrainës. Kjo është një gjë që çmohet duke marrë parasysh sfidat gjeopolitike që po i shkakton kjo luftë”, ka thënë Varhelyi.
Varhelyi, foli edhe për dialogun me Serbinë, teksa tha se është esenciale që të dyja palët të zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja, përfshirë këtu Asociacionin.
“Mendojmë që është bërë një progres vitin e kaluar. Tani është esenciale që të dyja palët të ofrojnë edhe t’i zbatojnë të gjitha obligimet sepse duhet ta shfrytëzojmë momentumin dhe të ecim para”.
“Qëllimi i vizitës nuk është t’ua përkujtoj, por të gjitha palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që janë dakorduar, përfshirë ato të vitit 2013 e 2015 për themelimin e Asociacionit”, u shpreh Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi.
Ai ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke e quajtur sukses të përbashkët me Qeverinë e Kosovës.
“Kemi edhe lajme të mira. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Ky është premtim shumë i gjatë që është bërë nga Evropa dhe të cilin arritëm ta sigurojmë së bashku edhe me punën e Qeverisë së Kosovës dhe zotimin e tyre për ti ndryshuar gjërat në terren, jo vetëm zotimit ndaj vlerave evropiane por edhe punës me neve për ti bindur shtetet anëtare në baza ditore që lëvizja pa viza është edhe në interesin tonë. Ky është një sukses i përbashkët”, ka thënë ai.
“Kemi diskutuar edhe çështjen e reformave, ky është edhe qëllimi i vizitës tonë, për ta parë se sa është arritur se i përket kryerjes së reformave. Këto reforma jo vetëm që duhet të vazhdojnë, por duhet të shpejtohen. Duhet të shohim se si janë kryer këto reforma. Ky është një element kritik”, është shprehur ai.