Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve që të përgatiten për “një betejë të madhe”, teksa “Reds” udhëtojnë drejt Londrës për t’u përballur me kryesuesit e Liga Premier, Arsenalin.
Qendërmbrojtësi holandez ka theksuar rëndësinë e një mentaliteti pozitiv brenda skuadrës, duke pranuar njëkohësisht forcën e Arsenalit, si në formacionin bazë ashtu edhe në stolin rezervë.
“Së pari, do të rikuperohemi nga kjo ndeshje, por duke filluar nga e marta do të fokusohemi patjetër te forca që ata kanë. Ata kanë një skuadër fantastike, me lojtarë shumë cilësorë në fushë dhe gjithashtu nga stoli”.
“Të gjithë e dimë se në shtëpi ata janë të pamposhtur këtë sezon, mendoj në të gjitha garat. Kjo e bën një sfidë shumë të bukur dhe ne duhet të jemi gati për një betejë të madhe”.
“Jam vërtet shumë i emocionuar për këtë ndeshje dhe mendoj se të gjithë duhet të jenë. Kjo është e vetmja mënyrë për të tentuar të marrësh një rezultat atje. Nuk ka asnjë arsye për të mos e pritur me padurim këtë përballje, sipas mendimit tim. Është një tjetër mundësi, por fillimisht rikuperimi dhe më pas do të fokusohemi plotësisht te ajo ndeshje”.
Përballja ndaj Arsenalit pritet të jetë vendimtare në garën për titullin në Liga Premier, me Liverpoolin që synon të marrë një rezultat pozitiv në një nga udhëtimet më të vështira të sezonit.
Përballja zhvillohet të enjten me fillim nga ora 21:00.







