28.4 C
New York
Saturday, July 5, 2025

Buy now

Valon Murati: Kriza në Kuvend është dramatike, institucionet duhet të zhbllokohen

- Advertisement -

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka vlerësuar si tejet shqetësuese situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur atë një krizë të rëndë institucionale me pasoja të thella për vendin.

Murati tha se më e keqja në këtë situatë është normalizimi i bllokadës, në një kohë kur vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale, sidomos përballë dinamikave të reja gjeopolitike.

“Ne kemi ngecur që në hapin e parë, në konstituimin e Kuvendit. Në vend që të gjendet një zgjidhje përmes konsensusit, po shkojmë drejt një zvarritjeje të gjatë, ku për çdo hap po kërkohet interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Kjo po e vendos edhe vetë Gjykatën në pozitë të vështirë, duke i kërkuar të zgjidhë çështje që janë thelbësisht politike”, u shpreh Murati në RTK.

Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon vazhdimin e procedurave dhe zbatimin e praktikave të mëparshme parlamentare, si votimi i hapur.

Por, sipas tij, ekziston hapësira që përmes konsensusit të zbatohen edhe forma të tjera të pranueshme.

“Nuk do të duhej fare të ishte çështje për Gjykatën Kushtetuese. Do të duhej të ishte një procedurë e thjeshtë, bazuar në normat parlamentare dhe vullnetin për zgjidhje. Të gjitha partitë kanë përgjegjësi, por natyrisht më e madhja bie mbi ato që kanë marrë më shumë vota nga sovrani,” theksoi ai, duke u bërë thirrje edhe opozitës që të kontribuojë në tejkalimin e ngërçit.

Situata e krijuar në Kuvend vazhdon të mbetet pa një zgjidhje konkrete, ndërsa me afrimin e seancave të ardhshme rritet edhe pasiguria rreth formimit të institucioneve të reja.

Të ngjashme

Të fundit