Mesfushori Valon Berisha është afër largimit nga skuadra austriake LASK, me këta të fundit që e kanë informuar se nuk është në planet e tyre për pjesën e mbetur të sezonit.
Siç raporton “Sky Sport Austria”, 33-vjeçari e ka refuzuar ofertën e skuadrës boshnjake FK Zeljeznicar, por pritet të largohet këto ditë – me Superligën e Zvicrës ose kampionatin polak si destinacione.
“Valon Berisha është një hap largimit nga LASK-u. Interesim konkret nga kampionati polak dhe Superliga zvicerane. Vendimi pritet javën tjetër. Më herët e refuzoi Zeljeznicar”, njofton gazetari Eric Niederseer.
Ende nuk dihet emrat e klubeve që kanë shprehur interesim, por shumica e tyre padyshim do të përfitonin nga eksperienca e madhe.
Berisha ka zhvilluar 59 paraqitje për LASK-un, duke shënuar gjashtë gola dhe kontribuar me shtatë asistime në proces. Këtë edicion, ai ka zhvilluar 589 minuta në 12 paraqitje, duke dështuar ta dhurojë pasimin final ose të gjejë rrugën drejtë rrjetës.
Kujtojmë, Berisha e ka bërë prioritet të bëhet me klub të ri në këtë afat dimëror në mënyrë që të merr ftesë nga kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e rëndësishme të muajit mars.






