Drita është shpallur kampione e Kosovës në konkurrencën e femrave në volejboll.
Në finalen e pestë dhe të fundit, vashat gjilanase triumfuan me rezultat 3:0 në sete ndaj Skënderajt.
Të dyja ekipet kishin fituar nga dy ndeshje finale, për ta lënë kampionin të shpallet në palestrën “Bashkim Selishta”.
E kjo palestër sot pranoi më shumë se tre mijë tifozë, të cilët krijuan atmosferë impozante.
Gjilanaset e nisën mirë setin e parë, duke e fituar me rezultat 25:22, shkruan Express.
Skënderaj u këndell në setin e dytë, duke qenë deri në fund në epërsi, por e lëshuan setin në momentet vendimtare.
Kurse në setin e fundit, vashat e Skënderajt u dorëzuan, duke lejuar që lehtësisht Drita të shënonte fitore.