Vivian Jenna Wilson, vajza transgjinore e Elon Musk, ka reaguar pas një artikulli të New York Post që u bë viral, ku thuhej se ajo ka mbetur “pa para” dhe jeton me tre shoqe banese, pas ndërprerjes së marrëdhënieve me një nga njerëzit më të pasur në botë. Artikulli i 2 shtatorit citonte një intervistë të saj, por sipas Vivian, fjalët ishin nxjerrë nga konteksti për të krijuar një histori të pavërtetë, të cilën ajo e ka mohuar kategorikisht.
Në një reagim në rrjetin social Threads, Vivian nuk e fshehu indinjatën. “Uhm… jo? Nuk jam? Asnjëherë nuk kam thënë se jam pa para. Për çfarë dreqin bëhet fjalë?”, shkroi ajo, duke kritikuar drejtpërdrejt titullin e gazetës amerikane.
Modelja dhe studentja sqaroi situatën e saj financiare: “Jam duke ecur mirë në karrierë. Nuk jam super e pasur, por të ardhurat e mia më mjaftojnë për të jetuar në Los Angeles, kështu që do të thoja se jam mirë”.

Historia që u shpërnda masivisht në rrjete sociale ishte bazuar në një intervistë të sinqertë për revistën The Cut, ku 21-vjeçarja foli për financat personale, famën dhe përvojën e saj duke u rritur në një botë të pasurisë së paimagjinueshme, nga e cila është distancuar me vetëdije. “Njerëzit supozojnë se kam shumë para. Unë nuk kam qindra mijëra dollarë në dispozicion”, tha Vivian, duke theksuar se nuk ka trashëgimi dhe as një “rrjet sigurie financiare”, edhe pse nëna e saj Justine Wilson është e pasur, ndërsa babai “është i paimagjinueshëm i pasur”.
Një nga deklaratat e saj se jeton me tre shoqe banese sepse “është më lirë”, u përdor si “provë” për ta paraqitur si të varfër. Por Vivian e sqaroi këtë duke thënë: “Mund të përballoj ushqimin. Kam miq, strehim dhe disa të ardhura të lira, çka është bukur, dhe jam shumë më e lumtur se shumica e bashkëmoshatarëve të mi në Los Angeles. Nuk kam aspak dëshirë të jem super e pasur”.

Vivian, e njohur më parë si Xavier Alexander, në vitin 2022 kërkoi zyrtarisht ndryshimin e emrit dhe gjinisë, hap që u interpretua si shkëputje përfundimtare nga babai. Që atëherë, ajo e ka kritikuar publikisht Muskun, duke e quajtur “një burrë-fëmijë patetik” dhe “baba të munguar”.
Musk ka reaguar gjithashtu ashpër, duke thënë në intervista se vajza e tij “është shkatërruar nga virusi woke” dhe se ishte “mashtruar” kur kishte dhënë pëlqimin për terapinë hormonale kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Edhe për raportet e saj me pjesën tjetër të familjes së babait, Vivian ka qenë e hapur: në një intervistë për Teen Vogue ajo tha se nuk i di as saktë sa vëllezër e motra ka. “Për historinë me Shivon Zilis (drejtoreshën e Neuralink, me të cilën Musk ka fëmijë) mësova në të njëjtën kohë si gjithë të tjerët”, u shpreh ajo.
