Myrto Uzuni është prezantuar në klubin e tij të ri në Shtetet e Bashkuara. Ylli kuqezi firmosi kontratën dhe tregoi se është ambicioz për të arritur suksese.
“Uzuni, lindur më 31 maj 1995 në Berat, është një futbollist profesionist i cili ka luajtur si sulmues për klube të ndryshme evropiane dhe kombëtaren shqiptare. Karriera e tij është një dëshmi e këmbënguljes dhe suksesit në botën e futbollit”, thotë Austin FC në deklaratën e prezantimit të sulmuesit.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vendosi të largohej nga Granada e kategorisë së dytë të futbollit spanjoll për aventurën në Amerikën e Veriut. Më 25 janar 2025, pas thashethemeve që gradualisht u bënë realitet, Uzuni nisi një aventurë të re në karrierën e tij duke i thënë “po” Austin FC, duke lënë ligën evropiane për në MLS-në.
“Klubi i gjelbër pagoi klauzolën e tij të lirimit, e vlerësuar në 12.3 milionë dollarë, për të siguruar nënshkrimin e tij”, vijon deklarata e klubit nga Teksasi.
Uzuni, ndër të tjera, tha se vjen “për të shënuar gola dhe për të thyer rekorde”.
“Të jem i sinqertë, përpara se të firmosja folëm me drejtuesit dhe kuptova që kemi tifozë shumë të mirë, është një nga ekipet ku shiten të gjitha biletat në çdo ndeshje dhe ashtu siç thash më parë unë do të jap maksimumin, pasi këta njerëz vijnë të mbështesin Austin, kështu që puna ime është të bëj të lumtur tifozët duke shënuar gola sigurisht”, tha Uzuni.
“Karriera e Myrto Uzunit pasqyron një kombinim të talentit, këmbënguljes dhe qëndrueshmërisë, duke e forcuar atë si një figurë lider në futbollin ndërkombëtar dhe një shembull për shumë futbollistë të rinj aspirantë”, përfundon prezantimi i Uzunit nga ana e klubit të ri.