Ushtaraku Gecaj: Serbia nuk mund t’i përdorë raketat këto kohë

- Advertisement -

Ish-shtaraku Hysen Gecaj, ka komentuar pajisjen e Serbisë me raketat kineze CM-400 dhe krekosjen e tyre e konsideron si pjesë të propagandës së vazhdueshme frikësuese ndaj fqinjëve të vet në Ballkan.

“Ne e dimë fare mirë që Serbia gjithmonë në këto hapësirat të Ballkanit ka qenë faktor destabiliteti dhe në njëfarë mënyre atëherë kur nuk ka mujtë me pasë një veprim konkret luftarak, është kthy kah kërcënimet dhe kah frikësimet e fqinjëve të vet”, ka thënë Gecaj në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Edhe kësaj radhe mendoj që paraqitja e lajmeve këto kohët e fundit me raketa të cilat janë bukur shumë të sofistikuara dhe me të cilat Serbia krenohet që i ka ble, mund të them që është në vazhdën e propagandës që e bën Serbia për fuqinë e saj që ka në Ballkan me qëllim që të prezantohet në opinion si një faktor i rëndësishëm ushtarak, gjë që askush nuk e ka mohuar në të kaluarën, as sot nuk e mohon, që Serbia ka armatime të mjaftueshme

“Mirëpo, kur analizohen mirë rrethanat në të cilat gjendemi sot si shtete, Kosova, Shqipëria,  Bosnja Hercegovina, Maqedonia, mali i zi po ashtu, dhe raporti i Serbisë me këto shtete, atëherë, e gjithë kjo lojë i takon këtij niveli të cilin e përmenda ma herët”.

Sidoqoftë, sipas Gecajt, sado që këto raketa janë të rrezikshme, ai pohon që nuk mund të përdoren nga serbët në rrethanat aktuale.

“Sado që këto raketa trumpetohet që janë të fuqishme dhe të rrezikshme, çfarë edhe janë në realitet, nuk ka mundësi që në këto kohë të përdoren nga ana e Serbisë, qoftë për mbrojtje, siç thotë, apo edhe për sulm, për shkak se krizat e mëdha globale të cilat kaniher në opinion duket sikur i japin një mundësi të mirë Serbisë për një ndërhyrje në Kosovë, në fakt, nuk janë të tilla për shkak se vigjilenca e Bashkësisë Ndërkombëtare apo në këtë moment e ShBA-ja është e përqendrume edhe në Ballkan shkaku që këto luftëra që po zhvillohen kudo qofshin nuk janë të ndamë edhe prej vetë situatës së përgjithshme në Ballkan”.

“Ato janë sfera të interesit të fuqive të mëdha dhe mendja është e fokusume në secilin vend dhe element ku mund të paraqitet një rrezik për një luftë të re”.

 

Të ngjashme

Të fundit