14.6 C
New York
Thursday, October 9, 2025

Buy now

Ursula von der Leyen, përballet sërish me mocion votëbesimi

- Advertisement -

Presidentja e Komisionit të BE-së do ta përballojë edhe një mocion të dytë për votëbesimin. Por presioni i vazhdueshëm i së majtës dhe së djathtës nxjerrin në pah një vakuum pushteti ndër vendet anëtare të BE-së.

Diskutimi ishte me tone mjaft të nxehta. Të hënën pasdite (06.10.2025) Parlamenti i BE-së u mblodh në seancë plenare në Strazburg për herë të dytë pas pushimeve të verës. Në seancë u prekën temat më të mprehta.

Kryetari francez i grupit të ekstremit të djathtë “Patriotë për Europën”, Jordan Bardella, e akuzoi presidenten e Komisionit të BE-së për mungesë transparence, dështim në politikën e migracionit dhe për humbjen e aftësisë së konkurrencës për shkak të politikës së saj për klimën.

Sipas tij edhe deal-i për doganat me SHBA-në është një katastrofë: “Ju faktikisht keni nënshkruar kapitullimin e Europës.”

Ursula von der Leyen ruan qetësinë

Pas tij e mori fjalën kryetarja e grupit të majtë, politikania franceze Manon Aubry. Edhe akuzat e saj qenë të rënda: Dështim në qendrimin ndaj Izraelit për luftën në Gazë, dështim në arritjen e një Green-Deals, fokusim tek blerja e armëve në vend të sigurisë sociale: “Ju duhet të largoheni,” përsëriste ajo vazhdimisht në mënyrë patetike.

Von der Leyen u tregua e qetë. Ajo kundërshtoi dhe bëri thirrje për unitet: “E vërteta është: kundërshtarët tanë jo vetëm janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo përçarje, por ato i nxisin në mënyrë aktive këto përçarje.”

Është e pashembullt, që një president komisioni brenda vetëm tre muajsh përballet me dy mocione votëbesimi. Por edhe pse gjatë votimit të enjten (09.10.2025) nuk ka gjasë që ajo të shkarkohet, intensifikimi i kësaj procedure tregon se sa i fragmentarizuar është Parlamenti i BE-së dhe sa i paqëndrueshëm është bërë ndërkohë besimi midis Komisionit dhe partive të qendrës politike.

Sulme nga të majtët dhe të djathtët

Ndryshe nga mocioni në korrik, këtë herë nisma për votimin lidhur me votëbesimin vjen si nga e djathta edhe nga e majta radikale. Në përmbajtje botëkuptimet janë shumë të ndryshme, por qëllimet të ngjashme: Synimi është të goditet von der Leyen politikisht, të minohet autoriteti i saj, në mënyrë që këto parti të forocojnë pozicionet e veta të pushtetit në parlament.

Olivier Costa, drejtor i sektorit të kërkimeve pranë CNRS dhe njohës i institucioneve të BE-së, thekson, se përpos përballjeve të partive për të forcuar pozitat e tyre në parlament ka edhe dy arsye të tjera, që kanë ndikuar në krijimin e situatave të tilla: Së pari një zbehje e aftësisë për bashkëpunim ndërmjet socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve, aleanca e dikurshme bazë e Parlamentit Europian. Së dyti edhe stili drejtues i Ursula von der Leyen, që shumë e konsiderojnë si të centralizuar dhe hierarkik.

“Presidentja e Komisionit e kupton postin e saj si të ishte kryeministre,” vëren Costa. Parimi i bashkëpunimit dhe konsensusit dalin në plan të dytë, vendimet merren me pushtet të përqendruar tek personi i saj. Kjo gjë ka krijuar pakënaqësi në parlament e po ashtu edhe në radhët e komisionit.

Raporte të vështira mazhorance

Njëkohësisht gjeometria politike në Europë është bërë më e ndërlikuar. “Koalicioni i madh” i përbërë nga konservatorët e djathtë EVP dhe socialdemokratët S&D që nga viti 2019 nuk ka më mjaftueshëm vota për një mazhorancë të qendrueshme.

“Ne ndërkohë kemi parë disa procese votimi, veçanërisht lidhur me temat për mjedisin dhe migracionin si dhe tema ndërkombëtare, që EVP nuk ngurron më të votojë me ekstremin e djathtë,” nënvizon eksperti Costa.

Kjo si rrjedhojë krijon një vakuum pushteti në spektrin e qendrës, gjë që përpiqen ta shfrytëzojnë partitë në skajet e ekstremeve politike.

Qendra po lëkundet

Ende partitë e qendrës përpiqen të bashkëveprojnë, por durimi ndaj kursit të presidentes së komisionit po humbet: “Ne ndërkohë shohim, që baza politike, mbi të cilën qendrojnë presidentja e komisionit dhe vet Komisioni i saj, ndonëse po qendron, ajo ka filluar të lëkundet veçanërisht në qendër,” konstaton politologia Almut Möller nga qendra EPC.

Kritika vijnë nga të gjitha anët: Pjesë të liberalëve kritikojnë ecurinë e çalë të reduktimit të burokracisë, në radhët e EVP ka zemërim për veprimet e mëvetësishme lidhur me politikën e jashtme, tek socialdemokratët dhe ekologjistët rritet skepticizmi ndaj ndryshimit të kursit fokusuar tek rritja ekonomike dhe aftësia e konkurrencës dhe duke u larguar prej projekteve sociale dhe Green Deal.

E rrezikshme apo gjallëruese?

A janë kërkesat për mocion një simbol për destabilizim të rrezikshëm, apo shprehje e dinamikës demokratike? “Të dyja,” thotë eksperti Costa. “Përballjet janë dëshmi e një demokracie të jetuar në BE. Por nëse ato dominojnë, atëherë rrezikon humbja e kontrollit.”

Të enjten parlamenti vendos për të ardhmen e von der Leyens. Costa nuk sheh shkas për një fund të shpejtë të mandatit të saj, por ai konsideron se do të ketë një normalitet të ri me një test të vazhdueshëm të stresit. “Von der Leyen nuk do të abdikojë dhe as nuk do të shkarkohet, për shumë forca ajo mbetet opcioni më i mirë. Sepse cila do të ishte alternativa?”

Por me rëndësi politike është, se sa i madh do të jetë kampi i atyre që do të votojnë me jo: “Një rezultat i dobët do të pasqyronte raportet e ftohura ndërmjet komisionit dhe parlamentit.”

Për shumë vëzhgues në Strazburg është e rëndësishme jo nëse ajo do të mbijetojë, por me çfarë shumice do ta arrijë këtë. Pikërisht ky raport votash do të ndikojë në punën e mëtejshme kur në axhendë janë ligjet për buxhetin, tregtinë dhe klimën. /DW

Të ngjashme

Të fundit