Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka vizituar familjen Shala në Taslixhe, aty ku në zgjedhjet e vitit 2021 kishte bujtur në shtëpinë e tyre, në kuadër të një fushate kreative të asaj kohe. Këtë herë, vizita e tij kishte për qëllim të dëgjonte nga afër se çfarë ka ndryshuar në katër vitet e qeverisjes aktuale.
Anëtarët e familjes Shala theksuan se situata në lagje jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar. Ata ngritën si probleme kryesore mungesën e ndriçimit dhe rrezikun nga qentë endacakë. “Këtu është shumë keq, është shumë ma keq. Dritat na i kanë heqë krejt, nuk ka ndriçim dhe s’je i sigurt as prej errësirës e as prej qenve,” u shprehën ata.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të banorëve, Ismaili tha se qytetarët sot janë më të vetëdijshëm për nevojën e ndryshimit. Ai shtoi se ndryshe nga kandidatët e tjerë, ofertat e tij nuk janë plane megalomane por zgjidhje të matshme e konkrete. “Unë nuk po jap plane që nuk realizohen, por zgjidhje të cilat secili qytetar i ndjen në përditshmërinë e tij,” tha ai.
Anëtarët e familjes Shala, ndërkohë, shprehën bindjen se pas 12 tetorit Prishtina do të marrë një drejtim të ri. “Popullata tash është vetëdijesu, e po e dinë që është koha për ndryshim,” theksuan ata. Video e plotë: https://www.facebook.com/