Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar pesë zgjidhje konkrete dhe të arritshme për t’i dhënë fund kolapsit urban që po e rëndon kryeqytetin.
Duke e cilësuar Prishtinën si një qytet të “kolapsuar nga trafiku i rënduar, papastërtia gjithandej dhe pasiguria shkaktuar nga mungesa e ndriçimit dhe qentë endacakë”, Ismaili tha se është koha për veprime të qarta dhe të zbatueshme.
Ai fton qytetarët të lexojnë me kujdes dhe të diskutojnë me të afërmit planin me pesë pika, të cilin e konsideron si bazë për kthimin e normalitetit në Prishtinë.
“Bashkohuni me ne dhe regjistrohuni në platformën www.kohaperprishtinen.com për të kontribuar në këtë nismë që synon një Prishtinë më të pastër, më të sigurt dhe më funksionale”, tha Ismaili.
Fushata e tij po mbështetet në mobilizimin qytetar dhe në ofrimin e zgjidhjeve të qarta për problemet që, sipas tij, janë zvarritur për shumë vite.