Dje është përuruar ura “Çanakkale 1915” në Turqi, e cila e lidh Evropën dhe Azinë.
Pjesëmarrës në përurimin e kësaj ure qe edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili tha se lartësia e urës prej 318 metrave shpreh datën e sotme, pra muajin mars dhe datën 18.
“Hapësira e mesme prej 2.023 metra e urës simbolizon vitin 2023, në të cilin është 100-vjetori i themelimit të Republikës sonë, që është një shenjë e objektivave tona të mëdha që ne ia kemi kushtuar kësaj date”, ka thënë Erdogan, shkruan Anadolu Agency, transmeton Klankosova.tv.
Ura “Çanakkale 1915” cilësohet si “Gjerdani i Ngushticës së Çanakkalasë” dhe lidh me njëra-tjetrën kontinentet e Azisë me Evropën dhe do të shkurtojë kohën e udhëtimit në vetëm gjashtë minuta.
Me autostradën Malkara-Çanakkale dhe me urën “Çanakkale 1915”, sistemet e transportit portual, hekurudhor dhe ajror në rajonet Marmara dhe Egje do të integrohen me projektet e transportit tokësor dhe do të ofrohet mundësi që të formohet një planifikim dhe strukturim i balancuar, për të cilat zhvillimi ekonomik dhe industria kanë nevojë në këto rajone.
Ndërtimi filloi në mars 2018 dhe projekti kushtoi gjithsej 3.1 miliardë euro, 100 milionë euro më shumë se sa ishte planifikuar, për shkak të ndikimit të pandemisë dhe rritjes së çmimeve të materialeve.