28.2 C
New York
Monday, July 14, 2025

Buy now

UNESCO i jep Maqedonisë së Veriut edhe një shans për Ohrin

- Advertisement -

Komiteti për Trashëgiminë Botërore i UNESCO-s, në mbledhjen e 47-të në Paris, miratoi një amendament të propozuar nga përfaqësuesit maqedonas, me të cilin u kërkua shtyrja e futjes së rajonit të Ohrit në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Me këtë, autoritetet maqedonase morën kushte të reja – që deri më 1 shkurt të vitit 2026 të dorëzojnë një raport për masat e ndërmarra për mbrojtje.

Amendamenti u dorëzua nga delegacioni maqedonas, i cili kërkoi të tërhiqet Projektvendimi që propozon qartazi regjistrimin e rajonit si të rrezikuar.

Komiteti diskutoi për herë të tretë për statusin e Ohrit, në rrethana kur 39 organizata të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkuan që ai të regjistrohet në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik, me arsyetimin se kjo do t’i hapte rrugë një procesi të rehabilitimit, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO.

Pas votimit, përfaqësuesit e tyre thanë se janë “të neveritur nga vendimi”, por se do të vazhdojnë të luftojnë për mbrojtjen e rajonit të Ohrit.

Qyteti i Ohrit
Qyteti i Ohrit

Pavarësisht tri misioneve të ekspertëve dhe paralajmërimeve tash e dy dekada, ata theksojnë se Komiteti sërish nuk e miratoi rekomandimin për ta futur Ohrin në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Organizatat e shoqërisë civile besojnë se një gjë e tillë shpërblen neglizhencën institucionale dhe minon vetë parimet e konventës së UNESCO-s.

“Ne besojmë se vendimi i Komitetit tradhtoi parimet mbi të cilat u formua dhe minoi – në mënyrë aktive – vetë thelbin e Konventës së Trashëgimisë Botërore”, thanë përmes një deklarate organizatat e shoqërisë civile.

Pas vendimit, ato bënë thirrje që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ta shfrytëzojnë me përgjegjësi këtë mundësi, “duke i ndalur menjëherë të gjitha projektet shkatërruese” dhe “duke treguar përkushtim të vërtetë për ruajtjen e vlerave unike të rajonit”.

Çfarë do të thoshte vendosja e Ohrit në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik?

Nëse Komiteti do ta vendoste Ohrin në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të obligoheshin të krijonin një plan të posaçëm masash korrigjuese, për ta rikthyer Ohrin në “gjendjen e dëshiruar të ruajtjes”, thotë për Radion Evropa e Lirë Iskra Stojkovska, nga organizata Front 21/42, e cila është në mesin e atyre që kërkojnë që Ohri të vendoset në atë listë.

“Kjo do të thoshte që shteti duhet të miratojë një sërë masash të sakta korrigjuese, që do të çonin nga gjendja aktuale në gjendjen e dëshiruar të vlerave. Kjo do ta vinte shtetin nën një trysni shumë më të madhe nga UNESCO-ja, por, gjithashtu, ai do të fitonte qasje në fonde shtesë”, thotë Stojkovska.

Përveç kësaj, ministrat e Mbrojtjes së Mjedisit dhe të Kulturës do të duhej të miratonin një ndalesë të veçantë për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme në zonën e mbrojtur.

Kjo parashihet edhe me Ligjin për Menaxhimin e Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore.

Liqeni i Ohrit
Liqeni i Ohrit

Sesioni i 47-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore filloi më 6 korrik në selinë e UNESCO-s në Paris, ku vazhdojnë diskutimet nëse disa vende të trashëgimisë botërore, përfshirë rajonin e Ohrit, duhet të përfshihen në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Në dokument, UNESCO kërkoi që Maqedonia e Veriut të forcojë menjëherë mbrojtjen e Kënetës së Studençishtës, t’i ndalojë të gjitha aktivitetet ndërtimore aktuale dhe të planifikuara në afërsi të saj, përfshirë kompleksin hotelier “Gorica”, dhe të rishikojë draft-ligjin për shpalljen e kënetës park natyror.

Qëllim thuhet se është harmonizimi i ligjit me standardet e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe me konstatimet e misionit monitorues të UNESCO-s nga viti 2024.

Në vend të mbrojtjes, heshtje dhe akuza të ndërsjella

Por, pavarësisht asaj që thuhet në Projektvendim, Qeveria maqedonase njoftoi se do t’u kërkojë përfaqësuesve të institucioneve maqedonase që marrin pjesë në mbledhjen e UNESCO-s, të propozojnë një amendament për tërheqjen e propozimit.

Në ditët para votimit, partitë shkëmbyen akuza: Qeveria akuzoi Qeverinë e mëparshme për neglizhencë sistematike, ndërsa opozita pretendoi se Qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë asnjë masë thelbësore.

E, sipas organizatave të shoqërisë civile, autoritetet lokale dhe qendrore për vite me radhë kanë lejuar ndërtime të pakontrolluara dhe kanë injoruar rekomandimet e UNESCO-s.

“Ne kemi punuar në Ohër që 11 vjet dhe nuk ka asnjë ndryshim midis qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, asnjë ndryshim se cila parti qeveris në cilin nivel… Grindjet mes tyre se kush është fajtor tregojnë vetëm se ata nuk kanë lëvizur asnjë milimetër”, thotë Stojkovska.

"Fekale gjithandej": Liqeni i Ohrit rrezikon ta humbë statusin në UNESCO

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

Shtatëmbëdhjetë organizata nga Maqedonia e Veriut, 13 nga Shqipëria dhe një rrjet evropian prej 15 organizatash kërkuan nëpërmjet një letre nga Komiteti që rajoni i Ohrit të vendoset në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Organizatat maqedonase përfshijnë: Eco Logic, Transparency International – Macedonia, Ohrid SOS dhe Institutin Societas Civilis për Demokraci.

Nga Shqipëria janë, mes tjerave, Fondacioni H2O dhe Aktiv Mobiliti.

Organizata nga Republika Çeke, Kroacia, Serbia, Bullgaria kërkojnë gjithashtu mbrojtjen e Ohrit.

Ato thonë se për shkak të moszbatimit të të gjitha planeve dhe projekteve të mëparshme për mbrojtje dhe për shkak të “shkatërrimit”, Ohri po humbet autenticitetin e tij.

“Ne i kërkojmë Komitetit të Trashëgimisë Botërore, në sesionin e tij të 47-të në Paris, që të mbrojë dhe ruajë rajonin e Ohrit për të gjitha brezët e ardhshëm, duke miratuar Projektvendimin për përfshirjen e tij në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Ato kujtojnë se alarmet e para për urbanizimin e tepërt dhe degradimin e Ohrit iu dërguan UNESCO-s që në vitin 1998 dhe shtojnë se, pavarësisht rekomandimeve nga misionet e ekspertëve në vitet 2017, 2020 dhe 2024, nuk është ndërmarrë gati asgjë thelbësore.

Projektet infrastrukturore që rrezikojnë edhe më shumë rajonin, vazhdojnë, si: autostrada A2 dhe hekurudha e Korridorit 8.

Kërkesat për vlerësimin strategjik mjedisor dhe vlerësimin e ndikimit në trashëgimi, gjithashtu, nuk janë zbatuar.

Ekspertët e UNESCO-s kanë konfirmuar tri herë se Ohri i plotëson kriteret për përfshirje në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik, por se Komiteti po u jep afate të reja Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sipas organizatave të shoqërisë civile.

Ato paralajmërojnë se kjo “kohë për reformë” është duke u keqpërdorur për projekte të reja të dëmshme dhe degradim të mëtejshëm.

I njohur në botë, i shkatërruar në shtëpi

Rajoni i Ohrit u shpall trashëgimi botërore në vitin 1979, ndërsa në vitin 2019 ky status u zgjerua edhe në pjesën shqiptare të liqenit, për shkak të vlerave natyrore të tij.

Liqeni i Ohrit është njëri prej liqeneve më të vjetra dhe më të thella në Evropë.

Liqeni i Ohrit
Liqeni i Ohrit

Statusi i trashëgimisë botërore rrit ndjeshëm dukshmërinë globale – çka sjell rritje të turizmit dhe përfitime ekonomike për banorët lokalë, si: vende të reja pune apo zhvillim të bizneseve të vogla.

Ai sjell edhe përfitime të tjera – nga mbrojtja ligjore dhe institucionale deri te qasja në ndihma teknike dhe financiare ndërkombëtare.

Por, rajoni i Ohrit është de facto në rrezik dhe kjo duhet pranuar, thotë Stojkovska.

“Ohri është shkatërruar nga korrupsioni dhe krimi – ne vetë po e shkatërrojmë”, përfundon ajo.

Të ngjashme

Të fundit