13.7 C
New York
Saturday, April 19, 2025

Buy now

Ukraina thotë se e ka nënshkruar me ShBA-në skicën e marrëveshjes për mineralet

- Advertisement -

Qeveria e Ukrainës ka njoftuar për nënshkrimin e skicës së marrëveshjes për mineralet mes Kievit dhe Uashingtonit.

Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, tha se memorandumi i qëllimit e hap rrugën për atë që ajo e quajti një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, raporton televizioni BBC.

Përplasja publike verbale mes presidentëve Donald Trump e Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në shkurt i kishte nxjerrë përkohësisht nga binarët bisedimet për arritjen e këtij pakti.

Ministrja ukrainase e njoftoi nënshkrimin e memorandumit në rrjetin X, por nuk ofroi hollësi të mëtejme. Në postimin e saj u publikuan fotografi ku ajo dhe sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent, po nënshkruanin ndaras.

“Ne jemi të lumtur që ta njoftojmë nënshkrimin, me partnerët tanë amerikanë, të një Memorandumi të Qëllimit, i cili e shtron rrugën për një Marrëveshje të Bashkëpunimit Ekonomik dhe për themelimin e Fondit Investues për Rindërtimin e Ukrainës” – shkroi zonja Svyrydenko.

Nënshkrimi i dokumentit u bë përmes një lidhjeje nga distanca me sekretarin Bessent, i cili tha se ende ishte duke u punuar në hollësitë e marrëveshjes.

Edhe presidenti Trump dha shenjë për marrëveshjen gjatë një konference të përbashkët për gazetarë me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

“Ne kemi një marrëveshje për mineralet, e cila besoj se do të nënshkruhet të enjten… të enjten e ardhshme. Së shpejti. Dhe supozoj se ata do ta përmbushin marrëveshjen. Pra, do të shohim, por ne kemi bërë një marrëveshje për këtë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për të dhënë më shumë hollësi rreth afatit dhe përmbajtjes së marrëveshjes, raportoi agjencia e lajmeve “Reuters”./Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit