Ukraina ka pranuar “Patriotët” e parë, që vlerësohen se janë një prej sistemeve më të avancuara amerikane të mbrojtjes ajrore, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes të Ukrainës.
“Sot, qielli ynë i bukur ukrainas bëhet edhe më i sigurt sepse sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot kanë arritur në Ukrainë”, ka shkruar në “Twitter” ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov.
Sistemet “Patriot” janë dërguar nga Gjermania dhe pritet t’i ndihmojnë Kievit që të mbrohet nga sulmet e vazhdueshme me raketa nga Rusia.
Dërgesa e sistemeve “Patriot” është listuar në ueb-faqen e Qeverisë gjermane në seksionin për dërgesat me armë që Berlini i ka dërguar Ukrainës, raporton “Rel”.
Ky sistem mobil është një prej sistemeve më të avancuara tokë-ajër në botë. Ai mund të përdoret për të luftuar avionët, raketat balistike dhe raketa të tjera.
Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar se do t’i dërgojnë Ukrainës sisteme të tilla të mbrojtjes ajrore. Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga Gjermania dhe ShBA-ja për përdorimin e sistemeve “Patriot”.
Sistemet “Patriot” po shihen kyç në luftimin e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës civile ukrainase.