Forcat e Kievit postuan video që shfaqin ushtarë që ngrenë flamurin ukrainas në një ndërtesë të bombarduar në fshatin Blahodatne në rajonin e Donjeckut, si dhe realizuan fotografi me flamurin e njësisë së tyre në një tjetër fshat aty pranë.
“Po i shohim rezultatet e para të veprimeve kundërsulmuese, rezultate të lokalizuara”, tha Valeryi Shershen, zëdhënëse për sektorin ushtarak “Tavria” të Ukrainës.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar më vonë tha se forcat ukrainase kishin çliruar një tjetër fshat në jug, dhe përparuan midis 300 dhe 1500 metra në dy drejtime në frontin jugor.
“Asnjë pozicion nuk humbi në drejtimet ku forcat tona janë në mbrojtje”, shtoi Maliar në Telegram.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se një shtytje ushtarake ukrainase ishte duke u zhvilluar, por se ajo kishte dështuar të shkelte linjat mbrojtëse ruse dhe kishte shkaktuar shumë viktima.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, lavdëroi trupat ushtarake ukrainase gjatë paraqitjes së tij të përditshme me video.
“Sigurisht, u jam mirënjohës ushtarëve tanë për këtë ditë”, tha Zelensky, duke iu referuar vetëm dy sektorëve kryesorë të luftimeve në lindje dhe jug.
Zelenskiy të shtunën dha sinjalin e tij më të fortë se Kievi ka nisur kundërsulmin e shumëpritur për të rimarrë tokën në lindje dhe jug, duke konfirmuar se po ndodhnin “operacione kundërsulmuese dhe mbrojtëse”.
Autoritetet e Kievit kanë zbatuar një periudhë rigoroze të heshtjes operacionale dhe u kanë bërë thirrje ukrainasve që të përmbahen nga ndarja e çdo informacioni që mund të rrezikojë operacionin.
“Dëbimi i armikut”
Me pak informacione nga Kievi dhe raportime të pakta të pavarura nga vijat e frontit, agjencitë e lajmeve e kanë pasur pothuajse e pamundur të vlerësojnë situatën në fushëbetejë.
Videoja nga Blahodatne tregoi trupat ukrainase brenda një ndërtese të dëmtuar rëndë ndërsa artileria gjëmonte në distancë.
“Ne po e dëbojmë armikun nga tokat tona amtare. Është ndjenja më e ngrohtë që ekziston. Ukraina do të fitojë, Ukraina mbi gjithçka”, tha një ushtar në videon e shpërndarë në Facebook.
Pas shkatërrimit të digës Kakhovka në rajonin Herson javën e kaluar, e cila rezultoi në përmbytje dhe evakuuim të banorëve nga zonat e prekura, Ukraina ka bërë përparime të rëndësishme.
Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për prishjen e digës, shkruan REL.