-4.2 C
New York
Sunday, February 1, 2026

Buy now

Ukraina falënderon Elon Musk: SpaceX bllokon përdorimin e Starlink nga Rusia për drejtimin e dronëve

- Advertisement -

Ministri ukrainas i Mbrojtjes ka falënderuar sot Elon Musk dhe kompaninë e tij SpaceX për masat e marra që pengojnë Rusinë të përdorë sistemin satelitor të komunikimit Starlink për të drejtuar dronë mbi territorin e Ukrainës.

“Masat e para tashmë po japin rezultate. Faleminderit që jeni në krahun tonë. Ju jeni një mbështetës i vërtetë i lirisë dhe një mik i popullit ukrainas”, shkroi në platformën X ministri Mykhailo Fedorov, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Elon Musk.

Reagimi i Fedorovit erdhi pas një postimi të vetë miliarderit amerikan, i cili deklaroi se masat e ndërmarra për të ndaluar përdorimin e paautorizuar të Starlink nga Rusia duket se kanë funksionuar dhe kërkoi nga Ukraina të informojë nëse nevojiten hapa të tjerë shtesë.

Ministri ukrainas bëri të ditur se Kievi po bashkëpunon “shumë ngushtë” me SpaceX dhe se në ditët në vijim do të zbatohen masa të rëndësishme shtesë. Ndër to përfshihet edhe krijimi i një sistemi regjistrimi dhe verifikimi për të gjithë terminalët Starlink që funksionojnë brenda territorit të Ukrainës.

“Së shpejti do t’u dërgojmë përdoruesve udhëzimet e nevojshme për regjistrimin dhe verifikimin e pajisjeve Starlink. Terminalët që nuk do të verifikohen, do të çaktivizohen”, theksoi Fedorov.

Më 29 janar, autoritetet ukrainase kishin njoftuar se kishin kontaktuar SpaceX pas zbulimit të dronëve rusë që përdornin lidhje Starlink mbi qytete ukrainase. Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW), që nga fundi i dhjetorit Rusia ka integruar sistemet Starlink në dronët sulmues, duke rritur rrezen e veprimit të tyre deri në 500 kilometra.

Sipas shërbimeve ukrainase të inteligjencës, ushtria ruse i ka siguruar terminalët Starlink përmes kanaleve paralele dhe importeve nga vende të treta, dhe jo përmes shitjeve zyrtare nga SpaceX.

Autoritetet ukrainase theksojnë se një ndërprerje e përgjithshme e Starlink në Ukrainë do të ishte problematike, pasi sistemi përdoret gjerësisht edhe nga ushtria ukrainase për komunikime.

Fedorov rikujtoi gjithashtu se vendimi i Elon Musk për të aktivizuar urgjentisht Starlink dhe për të dërguar pajisjet e para në Ukrainë në fillim të pushtimit rus ishte vendimtar për qëndrueshmërinë e vendit. /Panorama/

Të ngjashme

Të fundit