Analisti Uk Lushi ka deklaruar se prilli i vitit 2026 përbën një moment vendimtar për drejtësinë dhe stabilitetin politik të Kosovës, duke propozuar rizgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, shkruan Scanner.
Sipas Lushit, mandati i Presidentes aktuale, Vjosa Osmani-Sadriu, përfundon në prill 2026, ndërsa procesi gjyqësor ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi në Hagë ka hyrë në fazën përfundimtare, pas mbylljes së procedurës së provave dhe dëshmive në dhjetor 2025.
Ai vlerëson se akuzat e ngritura ndaj Thaçit dhe bashkëakuzuarve të tij kanë rënë dhe se raporti i Dick Marty-t, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, është dëshmuar si i pabazuar. Lushi kritikon institucionet e Kosovës, përfshirë Presidencën, Qeverinë, Kuvendin dhe partitë politike, për mungesë angazhimi serioz në mbrojtje të ish-Presidentit dhe të ish-krerëve të UÇK-së gjatë kësaj periudhe.
Sipas tij, rizgjedhja e Hashim Thaçit President do të përmbyllte një cikël padrejtësie politike dhe juridike, do të shërbente si akt pajtimi politik dhe do ta kthente Kosovën në një shteg më të qëndrueshëm institucional.
Lushi shton se një mandat i fundit i Thaçit si President do të hapte rrugën për forcimin e drejtësisë vendore, përfshirë krijimin e një gjykate për krime lufte në Prishtinë dhe ndjekjen penale të autorëve të krimeve të luftës në Kosovë.
Në fund, ai ngre pyetjen nëse klasa politike e Kosovës do të ketë diturinë, mençurinë dhe vizionin për ta kuptuar rëndësinë juridike, historike dhe politike të një vendimi të tillë në prill 2026.
Postimi i plotë:
Presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, i skadon mandati në prill 2026.
Parardhësi i saj dhe themeltari i shtetit Hashim Thaçi dha dorëheqje dhe vullnetarisht shkoi në Gjykatën Speciale për të mbrojtur atje Luftën Çlirimtare.
Si pasojë akuzat e zviceranit anti-shqiptar dhe anti-amerikan Dick Marty ranë shpejt pas arritjes së Thaçit në Hagë. Trafikimi i organeve u shkri si një fjollë bore e rreme.
Në dhjetor 2025 procesi gjyqësor i stërzgjatur paarsyeshëm u krye formalisht.
Kanë mbetur edhe fjalët mbyllëse dhe verdikti formal, i cili do të shtyhet sa më shumë sepse gjyqtarët duan rroga të majme sa më gjatë.
Mirëpo pasi procesi i provave dhe dëshmive është përfunduar duket qartë që aktakuza kundër Presidentit Thaçi et al. ka rënë.
Fakeqësisht, gjatë mandatit të Vjosa Osmanit, as ajo, as Albin Kurti, as Kuvendi, as partitë politike dhe as vetë PDK nuk kanë bërë gati asgjë për mbrojtjen e Presidentit Thaçi dhe të bashkëakuzuarve të tij.
Shteti ka vegjetuar turpshëm në vend se të aktivizohej me dinjitet duke kryer detyrat që ka të mbrojë shtetasit.
Prandaj shteti i Kosovës, Presidentja Osmani-Sadriu, Albin Kurti, Kuvendi dhe partitë politike kanë një rast të fundit që të përmirësohen dhe këtë prill 2026 ta nominojnë dhe rizgjedhin President të Kosovës Hashim Thaçin.
Kjo do të përmbyllte ciklin e padrejtësisë dhe pajtimit politik partiak duke e futur Kosovën në shtegun më të mirë të mundshëm.
Presidenti Thaçi do të shërbente mandatin e fundit ndërkaq që Kosova sjell Gjykatën Kundër Krimeve të Luftës në Prishtinë dhe fillon ndjekjen dhe gjykimet kundër serbëve, malazezëve, romëve dhe pjestarëve të etnive tjera që kanë bërë krime lufte në Kosovë.
A do t’i kenë politikanët e Kosovës diturinë, mençurinë dhe vizionin t’i kuptojnë rezultatet e një veprimi të tillë të duhur juridikisht, historikisht dhe politikisht?
Nëse po, dhe nëse i duan Kosovën dhe popullin shqiptar, në prill 2026, Kuvendi i Kosovës rizgjedh Hashim Thaçin President të Republikës së Kosovës.






