Aktivisti dhe njohësi i çështjeve politike, Uk Lushi, ka reaguar ndaj diskursit politik për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke e cilësuar si të pandershëm, sipas tij, keqpërdorimin e Amerikës për qëllime elektorale, shkruan Scanner.
Ai ka theksuar se nuk është në rregull që emri i Shteteve të Bashkuara të përdoret në funksion të sigurimit të një mandati të ri presidencial, duke aluduar në fushatën e Vjosa Osmani.
Sipas Lushit, çdo qytetar që kualifikohet për postin e Presidentit do të bashkëpunonte me SHBA-të dhe nuk do të vepronte kundër interesave të Kosovës. Ai ka shtuar se Amerika punon me këdo që zgjedh Kosova në krye të shtetit, duke kundërshtuar pretendimet për një kandidat të preferuar nga jashtë.
Në reagimin e tij, Lushi ka theksuar se
Presidenti apo Presidentja duhet të pasqyrojë konsensusin dhe spektrin politik të vendit, e jo ambiciet personale. Ai po ashtu ka vlerësuar se Kosova do të kishte bërë mirë ta zgjidhte Hashim Thaçi në postin e Presidentit, ndërsa ka sugjeruar që, në mungesë të një konsensusi të tillë, të përkrahet një kandidat i propozuar nga opozita.
Në fund, Lushi ka bërë thirrje që liderët të jenë shërbëtorë të shtetit dhe të mos e përdorin ndjenjën e proamerikanizmit të qytetarëve për interesa karriere politike.
Postimi i plotë:
Nuk është i ndershëm keqpërdorimi i Amerikës nga Vjosa Osmani Sadriu në fushatën e saj edhe për një mandat presidencial.
Zgjidhe cilindo qytetar që kualifikohet për President/e të Kosovës dhe ai apo ajo do të bënte çka kërkon Amerika dhe nuk shkel interesat e Kosovës.
Gjithashtu Amerika punon me këdo që e vendos Kosova në krye të shtetit.
Presidenti apo Presidentja e Kosovës duhet të pasqyrojë arealin dhe konzensusin politik në Kosovë, jo ambiciet personale të dikujt.
Partitë në Kosovë nuk duhet të bien pré e pretendimit se Amerika e do një kandidat/e kukull.
Kosova do të kishte bërë mirë të zgjidhte Hashim Thaçin President, por nëse politikanët në Kosovë nuk kanë guxim dhe dituri të kuptojnë këtë veprim, duhet të zgjedhin dikë që propozon opozita.
Liderët duhet të jenë shërbëtorë të shtetit dhe jo të bëjnë shtetin instrument për karrierë duke bërë fushatë me sensitivitetin e proamerikanizmit të sinqertë të shqiptarëve kudo.






