Faqja zyrtare e UEFA-s, ka publikuar fytyrat e ngjyrosura të tifozëve shqiptarë para ndeshjes që do të zhvillohet sonte me Spanjën, shkruan Reporteri.net.
Fotografi të ndryshme, UEFA i ka publikuar në Facebook duke postuar edhe flamurin shqiptar.
Shqipëria e Spanja takohen të hënën prej orës 21:00 në Duesseldorf. Shqipërisë i duhet fitorja për avancim në fazën nokaut të Evropianit.
Spanja tashmë është atje. Por Spanja synon titullin dhe nuk dëshiron të ndalë serinë e fitoreve.
Në grupin që cilësohet si ‘i vdekjes’ Shqipëria ka arkëtuar tashmë një pikë ndaj Kroacisë në barazimin 2-2, kurse u mposht nga kampionët në fuqi të Evropës, Italia. Pavarësisht se ‘kuqezinjtë’ ishin duke avancuar që nga minuta e parë me golin e Nedim Bajramit që edhe theu rekordin për golin më të shpejt të realizuar në histori të Kampionateve Evropiane [pas 23 sekondave], Shqipëria nuk arriti ta mbante avantazhin duke humbur ndeshjen e parë të grupit B.
Situata në grupin B tashmë është e qartë sa i përket kundërshtarit të ardhshëm të Shqipërisë, Spanjës që siguroi kualifikimin tutje me fitoren e mbrëmshme ndaj Italisë [1-0], duke bërë që spanjollët të hyjnë në ndeshjen ndaj Shqipërisë pa presionin e pikëve dhe me shumë mundësi edhe me rotacione të shumta për të ruajtur lojtarët kyç për fazën tjetër.
Ndërkohë, rivalët tjerë, Italia dhe Kroacia do të përballen mes vete në xhiron e fundit ku do të jetë edhe determinuese për skuadrat që kalojnë tutje.
Aktualisht, Italia ka 3 pikë në vendin e dytë – Shqipëria e treta me një pikë, aq sa ka edhe Kroacia në vendin e fundit, por me gol-dallim më të dobët se ‘kuqezinjtë’