Ashtu siç është pritur, UEFA, ka vendosur për fatin e takimit mes Rumanisë dhe Kombëtares së Kosovës, e zhvilluar më 12 nëntor, e cila nuk u përfundua në tërësi.
Si rezultat i tërheqjes nga loja në minutat shtesë të ndeshjes, UEFA, vendosi që Rumania ta fitonte ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0.
Kjo edhe pritej, por diçka që nuk pritej ishte se thirrjet e tifozëve rumun që ishin ‘Kosova është Serbi’ dhe ‘Serbi, Serbi’, nuk u konsideruan si thirrje raciste, por vetëm mesazhe politike të papërshtatshme për sportin.
Kjo krijon një precedent të rrezikshëm, pasi thirrje të tilla nacionaliste e raciste mund të përdoren në çdo ndeshje të Kosovës, dhe kundërshtarët mund ta pësojnë vetëm me gjobë.
UEFA cilësoi si thirrje raciste, disa thirrje Anti-Hungari, për çka e dënoi Rumaninë me 50 mijë euro, shkruan Nacionale.
Teksa për thirrjet ndaj Kosovës, që u cilësuan si mesazhe politike jo të duhura për sport u dënuan vetëm me 30 mijë euro.
Federata e Kosovës do ta ketë mundësinë që rastin ta dërgojë në instanca më të larta të drejtësisë, duke ndjekur rastin deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), në mënyrë që të paktën këto thirrje të konsiderohen si raciste dhe jo vetëm mesazhe politike.
Kujtojmë se Kombëtarja e Kosovës ka siguruar një vend në play-off për t’u promovuar në Ligën B.
Shorti për play-offin e Ligës së Kombeve do të tërhiqet më 22 nëntor (këtë të premte).