Pavarësisht pritshmërive të mëdha, rregulli i pozicionit jashtë loje (ofsajd) nuk do të pësojë ndryshime të menjëhershme. Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë propozimin e ish-trajnerit të Arsenalit, Arsene Wenger, duke e konsideruar atë si tepër radikal.
Sipas idesë së Wenger, një lojtar do të konsiderohej në pozicion të rregullt nëse qoftë edhe një pjesë e trupit të tij është në vijë me mbrojtësin. Pra, duhej që i gjithë trupi i sulmuesit të ishte para mbrojtësit që ai të quhej “jashtë loje”. Kjo do t’u jepte një avantazh të jashtëzakonshëm sulmuesve.
UEFA vlerëson se ky ndryshim do të shkatërronte taktikat mbrojtëse të ekipeve dhe do ta tjetërsonte lojën e futbollit. Në vend të kësaj, UEFA po shqyrton një kompromis: Pozicioni jashtë loje të përcaktohet vetëm nga trupi, duke mos llogaritur më këmbët apo kokën.
Asnjë vendim përfundimtar nuk pritet të merret deri pas Kupës së Botës 2026. Para se të votohet për ndryshimin e rregullit, do të ketë testime të mëtutjeshme në ligat e niveleve të ulëta për të parë efektin real në fushë.






