Shtëpia e futbollit UEFA e ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) me plot 47 mijë e 500 euro.
Kjo goditje “financiare” ka ardhur shkaku i incidenteve të krijuara nga disa tifozë shqiptarë, që ndizen fishëkzjarre gjatë ndeshjes ndaj Kroacisë, si dhe për “mesazhet e papërshtatshme”.
FSHF-ja ka kërkuar nga tifozët të mos shkaktojnë më këso incidente, si dhe të mos shfaqin mesazhe me natyrë politike apo etnike.
“Edhe njëherë tjetër Federata e Futbollit gjen rastin t’u bëjë apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Gjithashtu, FSHF bën me dije se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj)”.
“Vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 2500 euro për ndezjen e fishekzjarreve.
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 20.000 euro për pushtimin e fushës.
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive”, shkruhet ndër të tjera në komunikatë.