Krerët e Bashkimit Evropian paralajmërojnë se dështimi për të ulur tensionet në Kosovë “do të ketë pasoja negative” dhe kërkojnë zgjedhje të menjëhershme në veri të Kosovës dhe vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila përfshin krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kështu thuhet në draft-konkluzionet e mbledhjes së sotme dhe të nesërme të krerëve të shteteve apo qeverive të BE-së në Bruksel, në të cilat kishte qasje agjencia Beta.
Drafti “dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm bazuar në elementet kyçe të theksuara tashmë nga BE-ja më 3 qershor 2023”.
Dokumenti shton se Prishtina dhe Beogradi “duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të menjëhershme në të katër komunat në veri të Kosovës” dhe thekson se “mungesa e zbutjes së tensioneve do të ketë pasoja të pafavorshme”.
“Është e një rëndësie thelbësore që të vazhdojë dialogu (Serbia dhe Kosova) me ndërmjetësimin e BE-së, të udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë i Unionit, si dhe me zbatimin e qetë të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe aneksin e për zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në dokumentin përgatitor të samitit të BE-së dhe nënvizohet se “kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.
Krerët e Bashkimit Evropian gjithashtu “përsërisin mbështetjen e tyre të plotë dhe të parevokueshme për perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”.