30 C
New York
Thursday, August 14, 2025

Buy now

Udhëheqësi opozitar hungarez akuzon Rusinë për ndërhyrje politike

- Advertisement -

Udhëheqësi opozitar Peter Magyar e ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në politikën hungareze pasi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) lëshoi një deklaratë, ku pretendohej se Komisioni Evropian po shqyrton “ndryshimin e regjimit në Budapest”.

Në pushtet që nga viti 2010, kryeministri hungarez, Viktor Orban është kritikuar nga disa udhëheqës të tjerë të Bashkimit Evropian për raportet e mira të Qeverisë së tij me Moskën dhe për kundërshtimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën – që po përballet me pushtimin rus që nga viti 2022 – ndërkohë që kabineti i tij po përpiqet të ringjallë ekonominë pas rritjes së inflacionit.

Disa analistë politikë thonë se, me partinë e tij të djathtë Fidesz që renditet pas Partisë Tisza të qendrës së djathtë të Magyarit në sondazhe, Orban po përballet me sfidën më të vështirë të sundimit të tij në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen pranverën e ardhshme.

Në njoftimin e SVR-së, të publikuar të mërkurën, u tha se bazuar në informacionin që ka pranuar ky shërbim, Komisioni evropian e sheh udhëheqjen aktuale të Hungarisë si pengesë gjithnjë e më serioze për një “Evropë të bashkuar”.

Tetorin e vitit të kaluar, Orban, i cili ka kundërshtuar fuqishëm përpjekjet e BE-së për të ndalur importet e energjisë ruse, po ashtu pretendoi se ekzekutivi i ri i BE-së po përpiqej të rrëzonte Qeverinë e tij dhe të vendoste një administratë “kukull” në Budapest.

“Brukseli është i zemëruar për përpjekjet e Budapestit për të ndjekur një politikë të pavarur dhe për të ndikuar në vendimmarrjen kolektive, veçanërisht sa i përket Rusisë dhe Ukrainës”, tha SVR-ja, duke e përshkruar Magyarin si besnik ndaj “elitave globaliste”.

Magyar tha se Rusia po përpiqet të ndërhyjë drejtpërdrejt për të ndikuar te votuesit në Hungari.

Budapesti është anëtar edhe i NATO-s, por nën udhëheqjen e Orbanit ka refuzuar që të dërgojë armë në Ukrainën fqinje.

“Dje nisi zyrtarisht një operacion kundër Hungarisë. Një shtet i huaj, një shtet jo aleat, po ndërhyn në mënyrë aktive në çështjet e brendshme të shtetit tonë”, shkroi Magyar në Facebook. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha se në njoftimin e SVR-së “nuk kishte asgjë të re”, duke përsëritur pretendimet euroskeptike të Orbanit se udhëheqësit e BE-së duan ta rrëzojnë nga pushteti.

Orban, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, u bë lideri i vetëm i BE-së të hënën që nuk mbështeti një deklaratë të përbashkët që thoshte se Ukraina duhet të ketë lirinë për të vendosur për të ardhmen e saj.

Përpara mbajtjes së një samiti në Alaskë midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Putinit të premten, Orban gjithashtu tha se Rusia kishte fituar luftën në Ukrainë./REL/

Të ngjashme

Të fundit