Shkruan: Ardian Bajraktari
Në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, gjegjësisht sipas Konventave të Gjenevës së vitit 1949 dhe Protokollit shtesë II të vitit 1977, prej elementeve që duhet plotësuar që një organizatë guerile, sikurse ishte UÇK-ja që të mund të njihet si palë ndërluftuese, është ndër të tjera ekzistimi i një strukture komanduese, si dhe të ketë kontroll mbi territorin apo një pjese të tij.
Mbase këto edhe mund të kenë qenë premisat ku edhe është nisur Prokuroria Speciale kur është filluar procesi ndaj z. Thaçi dhe të tjerëve.
Madje vlen të theksohet se sa i përket ushtrimit të kontrollit, kjo gjë thuhet edhe në aktakuzë, ku në faqe 61, dhe 62, të saj, ndër të tjera thuhet si në vijim: “UÇK‐ja ushtronte kontroll solid territorial në pjesë të mëdha të Kosovës, të cilin e zbatonte përmes strukturës së saj komanduese të centralizuar deri te struktura në terren e komandantëve të zonave operative, çka rezultoi në aftësinë e saj për të kryer operacione ushtarake të bashkërenduara”. Ndonëse realiteti ka qenë krejtësisht ndryshe.
Por në drejtësi, në jo pak raste ka kur kemi rrethana përjashtuese, e mbase ky ishte pikërisht rasti, për faktin se tashmë po dëshmohet shumë qartë se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të tillë, ndonëse është njohur nga bashkësia ndërkombëtare, palë në proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë, e për kontroll efektiv, ajo vetëm dihej, për faktin se UÇK-ja ishte përveç organizim vullnetar, ishte edhe organizatë guerile.
Një prokurori serioze dhe proces serioz ligjor, këto elemente do t’i analizonte më mirë se sa që po rezulton se i ka analizuar Prokuroria e Specializuar, nisur edhe nga fakti i proceseve gjyqësore paraprake të njohura si rasti Haradinaj dhe Limaj, ku vetëm është konstatuar mungesa e kontrollit dhe e strukturës komanduese.
Dëshmia e ambasadorit Hill, vetëm sa e përforcoi dhe e betonoi tezën e mungesës së kësaj strukture dhe kierarkie, të cilën e paraqiti mjaft mirë dhe qartë në dëshminë e tij z. Rubin, e cila u pasua edhe nga dëshmitarët tjerë të mbrojtjes, e cila me doza të mëdha besimi do të vuloset nga dëshmia e gjeneralit Clark.
Dëshmia e Ambasadorit Hill, ishte e pritshme, po kaq favorizuese në raport me mbrojtjen dhe mbi të gjitha të vërtetën, për faktin se duke qenë bashkë pjesëmarrës me z. Rubin, nuk kishte se si me qenë ndryshe.
Madje ai në mes tjerash paraqiti vështirësi në drejtim të komunikimit në mungesë të një strukture dhe kierarkie, gjë që vetëm sa e forcon bindjen në drejtim të të kundërtës së asaj që pretendon Prokuroria.
Prandaj, edhe dëshmia e z. Hill, ishte në vazhdën e dëshmive që jo vetëm se shkojnë në funksion të mbrojtjes, por para së gjithash shkojnë në funksion të konstatimit të së vërtetës. E ajo tashmë është e qartë, UÇK-ja ishte organizim vullnetar, organizatë guerile, në mungesë të një strukture dhe kierarkie komanduese, por me një politikë vizionare të qartë e ku kjo e fundit e bën diferencën në raport me organizimet paraprake.
Pra UÇK-ja ishte një organizim sui generis, e angazhimi dhe shqyrtimi më në detaje i këtij konteksti nga ana e prokurorisë së specializuar po të ndodhte, ky proces nuk do të fillonte, së paku jo ndaj katërshes së UÇK-së, por ndonëse vonë, do të ishte mirë me reflektuar, në raport me mos argumentimin e tezave të prokurorisë si për mungesën e strukturës komanduese, e aq më pak mos ekzistimin si dhe mos përmbushjen e elementeve të të ashtuquajturës “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Ky është elementi sui generis UÇK, ndonëse e tillë, nuk është më pak e madhe dhe e lavdishme dhe e tillë do të mbetet përjetë!






