Ish-gjenerali i UÇK-së, Sami Lushtaku, ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë duhet të trajtohen si qytetarë të Republikës së Kosovës dhe nuk bën të akuzohen se janë me Listën Serbe.
Në emisionin më të ri në Klan Kosova, “Jehona Politike”, ai tha UÇK-ja ka luftuar për të gjithë qytetarët, jo vetëm për shqiptarët.
“Është e lehtë t’ia drejtosh dikujt gishtin e të thuash ju jeni me Listën Serbe. Kush është me Listën Serbe? Kush? Unë mendoj që janë qytetarë të këtij vendi. Lufta çlirimtare e Kosovës nuk ka ndodhur vetëm për shqiptarë, por për qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush janë ata. Prandaj unë mendoj se Albini luan me kartën e nacionalizmit, dhe mendoj se është më së paku politikan që i shërben vendit të vet”, theksoi Lushtaku, raporton Klankosova.tv.
Duke folur për mos-respektimin e institucioneve të drejtësisë nga Albin Kurti, Lushtaku tha se “ky është dallimi i krejt burrave apo djemve që kanë qenë në UÇK, sepse besoj që secili prej neve e respekton institucionin, ligjet dhe e do shumë vendin e vet”.
“Ata që nuk e respektojnë ligjin, jam i bindur që nuk e kanë vendin në institucionet e vendit. Shumë gjenerata kanë shkuar për ta parë Kosovën me institucione”, tha Lushtaku.
Për zgjedhjen e Dimal Bashës kryetar të Kuvendit, zyrtari i PDK-së tha se ka ngjallur pakënaqësi në anëtarësinë e partisë, mirëpo tha se vendimi i kryetarit Memli Krasniqi duhet të respektohet, sidomos nga deputetët e partisë.
“E kam thënë edhe më herët: nuk e njoh Dimal Bashën. E di që ka zgjuar shumë kureshtjen, sidomos te anëtarët e PDK-së, megjithatë ne i bindemi kryetarit të partisë dhe kryesisë. Secilin vendim që ai e merr, besoj që e ka përkrahjen e shumicës prej neve që jemi kryetarë nëndege apo si anëtarë të PDK-së. Natyrisht se ka edhe pakënaqësi, edhe keqkuptime, megjithatë, ata që nuk e respektojnë vendimin e kryetarit të partisë, e bëjnë një gabim të madh”.
“Unë e respektoj pafundësisht Ganimeten (Musliu), por dua që deputetët e PDK-së të jenë unikë dhe ta dëgjojnë fjalën e kryetarit të partisë”, tha ai.
Për çështjen që veteranët e UÇK-së dolën kundër Bashës si kryetar i Kuvendit, Lushtaku tha se shoqatat e kanë të drejtën e tyre që të jenë kundër tij, “sikurse që as unë nuk i jam gëzuar faktit që ai të jetë në atë pozitë, megjithatë, kjo është fytyra e vërtetë e LVV-së”.
“Për mua, dallimet janë të vogla të atyre që janë në nivele të larta politike, për mua janë të barabartë. Një pjesë e tyre janë bashkëpunëtorë të Serbisë. Një pjesë e tyre nuk i kanë dhënë kurrë vendit të vet bash kurrgjë. Një pjesë e madhe e tyre që unë i njoh, e di kanë jetuar jashtë vendit, dhe kur është çliruar dikur pas 15 vjete, vijnë dhe bëjnë politikë. Mirë është që janë në Kosovë e që janë në politikë, por duhet të jenë më të sinqertë e më të kujdesshëm për vendin e tyre”.
“Ne kemi fakte dhe argumente. Ne më së paku kemi dalë nëpër media t’ia drejtojmë dikujt gishtin. Unë kam informacione të bollshme që një pjesë e tyre i kanë shërbyer dhe i shërbejnë politikës së Vuçiqit”, deklaroi Lushtaku.