Kombëtarja e Kosovës U16 ka arritur ta përmbyllë me sukses të madh në turneun zhvillimor të UEFA-s që u zhvillua në Tiranë. Dardanët e drejtuar nga trajnerët Mehmed Kurda e Ibrahim Domi regjistruan tri fitore në po aq ndeshje, duke triumfuar ndaj San Marinos (7:0), Andorrës (2:1) dhe, në ndeshjen e sotme edhe ndaj Kombëtares së Shqipërisë, me rezultat 2:1. Kësisoj, Kosova U16 e mbylli turneun si kampion.
Në pjesën e parë, Dardanët ishin dominues dhe shfrytëzuan mundësitë që iu ofruan për të kaluar në epërsi. Goli i parë erdhi nga sulmuesi i spikatur Unejs Mustafa, i cili në minutën e 10-të zhbllokoi rezultatin. Më pas, në minutën e 17-të, Leon Ademi shënoi golin e dytë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria u hodh përpara dhe arriti të ngushtojë diferencën me një gol të hershëm, por më pas Dardanët e menaxhuan lojën dhe ruajtën epërsinë e një goli.
Ky sukses vjen si rezultat i angazhimit dhe disiplinës së lartë të lojtarëve, të cilët treguan një nivel të lartë të lojës dhe frymë ekipore gjatë gjithë turneut. Trajneri Mehmed Kurda shprehu krenarinë e tij për paraqitjen e skuadrës dhe vlerësoi angazhimin e lojtarëve të rinj që dhanë gjithçka për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për paraqitjen e djemve në këtë turne. Ata treguan angazhim dhe disiplinë të jashtëzakonshme dhe patën paraqitje të shkëlqyeshme si ekip. Jam i kënaqur me të gjithë futbollistët, pasi secili pati mundësi të luajë dhe të tregojë vlerat e tij. Ky sukses është rezultat i punës së vazhdueshme dhe është dëshmi e potencialit të madh që ka Kosova në futbollin e të rinjve dhe punës së mirë që bëhet me këto gjenerata. Ky është suksesi ynë i dytë brenda dy vitesh në turne të tillë dhe pa dyshim na jep motiv për të ardhmen”, tha Kurda