14.5 C
New York
Monday, October 21, 2024

Buy now

U tha se mund të shpërthejë luftë: Bujar Osmani i mohon pretendimet

- Advertisement -

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, konsideron se është e domosdoshme marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo pasi siç thotë ai, po ndodhin ndryshime të shpejta në gjeopolitikë, e të cilat nuk e favorizojnë Ballkanin.

Kryediplomati maqedonas në intervistën për KosovaPress, thotë se në Ballkan ende mund të ketë sfida e tensione, andaj thekson se nevojitet vëmendje e veçantë.

Ai flet edhe për draft-statutin për Asociacionin, ndërsa për sulmin terrorist në Banjskë thotë se ka kthyer gjithçka në pikën zero.

“(Situata e sigurisë në Ballkan) Është ende me sfida, nuk besoj që ka një kërcënim eminent për destabilizim. Kjo është në bazë të analizave që i bëmë si vende anëtare të NATO-s, edhe si kryesues i OSBE-së, dhe në bazë të gjitha informacioneve bilaterale që kemi. Do me thënë, në Ballkan nuk presim ndonjë destabilizim që mund të ndodhë, mirëpo sfida e tensione mund të ketë, duhet një vëmendje e veçantë”, thotë ai.

Për çështjen e sigurisë në Ballkan dhe rrezikun potencial së fundmi ka folur edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, sipas të cilit “Rusia po përgatit një luftë në Ballkan”, Osmani thotë se deklaratat e tilla janë mesazh plus se pse duhet të mbyllen me shpejtësi temat e mëdha.

Si rrjedhojë, Osmani thotë se Kosova dhe Serbia duhet të shfrytëzojnë momentumin për të përmbyllur mosmarrëveshjet.

Përndryshe, thekson se çdo zvarritje do t’i dëmtonte palët në proces, por edhe gjithë rajonin.

I pyetur për agresionin serb në Banjskë dhe masat e vëna ndaj Kosovës, kryediplomati maqedonas thotë se ajo që ndodhi më 24 shtator kërkon reflektim të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të rajonit, në mënyrë që më pas të mund të vazhdohet me dinamika të tjera.

Sa i përket draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti, Osmani duke mos komentuar shumë, thotë se është çështje e Kosovës të vendosë për rregullimin e brendshëm.

Kryediplomati maqedonas, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani, tregon për KosovaPress, sfidat me të cilat po përballen aktualisht. Porse, shprehet optimist se do të mund të gjejnë një zgjidhje për vazhdimësinë e organizatës.

Ndryshe, Samiti i OSBE-së do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Maqedoni të Veriut, ku edhe do të vendoset se cila do të jetë e ardhmja e organizatës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit