Ditën e sotme, në media ka qarkulluar një video, ku këngëtari Ardian Bujupi ishte ndaluar në rrugë nga një tiktok-ere, e cila i ka drejtuar disa pyetje në lidhje me jetën, origjinën si edhe karrierën e tij.
Bujupi i është përgjigjur duke i thënë se është një këngëtar gjerman, deklaratë e cila ka krijuar shumë zhurmë në rrjetet sociale.
Lidhur me këtë video, Ardiani ka bërë një reagim të menjëherëshëm në profilin e tij zyrtar, duke u shprehur se ai e ka patur shumë më të lehtë të thotë Gjermani por që sipas tij ajo ishte thjesht një intervistë e shkurtër dhe nëse do ishte më e gjatë, sigurisht që do e kishte shprehur se ishte shqiptar.
“Për ata armiqtë që janë duke kërkuar gabime te unë, kot e keni. Unë jam rritur në Gjermani, kam fituar famë në këtë vend. Në intervistën e parë në jetën time për RTL, fjala e tretë ka qenë Kosovë. Ajo vajzë në Dubai njeh shoqërinë time në Gjermani dhe më ka ardhur më shkurt të them ‘Germany’. Po të kishte qenë intervista më e gjatë, unë kisha thënë ‘jetoj në Gjermani’, jam shqiptar etj etj”, shkruan Ardiani në Instastory.
Kujtojmë që Ardian Bujupi ka lindur me 27 Prill 1991 në Kosovë por për shkak të luftës, ai u zhvendos në Gjermani kur ishte vetëm 1-vjeç.
Që në moshën 6-vjeçare, ai nisi të luante notat e para në pianon e babait të tij. Ai nisi suksesin e tij në muzikë që me paraqitjen e tij të parë në programin, “Gjermania kërkon Superyllin”, ku rezultoi mjaft i pëlqyer.
Pas suksesit në Gjermani, Ardiani është prezantuar edhe pranë publikut shqiptar, duke rezultuar gjithashtu shumë i suksesshëm. Ai ka performuar së bashku me Dj Dalool në një prej eventeve më të rëndësishme të muzikës shqiptare, “Top Music Awards”.