Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditën e së mërkurës qytetin e Skenderajt ku një 42 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri brenda një kafiterie në rrugën “Salë e Hamit Jashari”.
Vëllau i viktimës, Fatos Ibishi për veriu.info ka rrëfyer se si ka ardhur deri të tragjedia duke thënë se vëllau i tij është vrarë me 14 plumba.
Ibishi thotë se dorasit janë djemtë e axhës së babait.
Ai bën të ditur se i ndjeri ishte baba i pesë vajzave teksa thotë se po priste të bëhej baba për herë te gjashtë.
Vëllau i viktimës mohon se vrasja ka ndodhur për pronë.
“Vëllau im nuk është vra për pronësi. Vëllau im ka dal me pi kafe, tu pi kafe është hi djali tij, e ka pa edhe u kthy, u shku e ka marrë babën e vet, si anë ardh, me dy alltija, janë hi në kafe edhe policia e din… Babë e bir ja kanë ba vëllaut tim, deshu midis kafes. Janë mundu me ç’njerëzu aty me kesh hallku me ta. Por, vëllau im nuk ç’njerëzohet, mu vra po, ai u vra, por mu ç’njerëzu nuk është ç’njerëzu. E kanë kërsit babë e bir kurrë pa nal, 14 plumba. 14 plumba vëllau im i ka në trup.”, thotë ai për veriu.info.
Lajmin për vdekjen e vëllaut thotë se e ka marrë nga një kushëri.
Ndryshe, të dyshuarit për vrasjen e 42 vjeçarit janë Hisni Ibishi 62-vjeçar dhe djali i tij, 33 vjeçari B.I.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës nuk është bërë i ditur motivi i kësaj vrasje.
“Me 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50 policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri. Bazuar ne hetimet fillestare të shtënat kanë ndodhur brenda një lokali në rrugën ”Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj, ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara ka humbur jetën viktima I.I., mashkull i moshës rreth 42 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia e ka cilësuar rastin si “Vrasje e rëndë” , ndërsa menjëherë pas ngjarjes, nga hetimet fillestare është arritur të identifikohen dy persona të dyshuar me inicialet H.I dhe B.I të cilët kishin ikur nga vendi i ngjarjes dhe kanë qenë në kërkim policor për disa orë.
Pas veprimeve hetimore, policia ka realizuar bastisje në shtëpinë e njërit të dyshuar Hisni Ibishi 62-vjeçarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë, një karikator me 30 fishekë e gjithashtu edhe 15 fishekë të një kalibri tjetër.
Ndërsa pas bastisjes është arrestuar i dyshuari i lartcekur, tek i cili janë gjetur dhe konfiskuar tri armë-revole, kurse kërkimet po vazhdonin edhe për arrestimin e të dyshuarit të dytë.