Rustem Umerov, i cili tashmë do të jetë ministri i ri i mbrojtjes në Ukrainë,shërben si anëtar kryesor i komunitetit tatar të Krimesë, i cili ka përfaqësuar vendin e tij në negociatat e ndjeshme me Rusinë.
Ai lindi me 19 prill në vitin 1982 në Uzbekistanin Sovjetik, vendi ku familja e tij u internua nën Stalinin dhe si fëmijë u kthye në Krime të Ukrainës.
41-vjeçari filloi biznesin e telekomit në vitin 2004 dhe u zgjodh në parlament në vitin 2019, raporton The Guardian.
Ai shërbeu si bashkëkryetar i Platformës së Krimesë, një përpjekje diplomatike ndërkombëtare që synon të kthejë aneksimin e gadishullit nga Rusia në vitin 2014.
Umerov ka punuar për vite si këshilltar i liderit historik të tatarëve të Krimesë, Mustafa Dzhemilev.
Në shtator të vitit të kaluar ai u emërua kreu i Fondit të Pronës Shtetërore – një rol veçanërisht i vështirë në Ukrainë, ku procesi i privatizimit është rrënuar nga korrupsioni.
Emërimi i tij në krye të Mbrojtjes ukrainase erdhi pas shkarkimit të Oleksii Reznikov nga ky post.