-10.5 C
New York
Monday, December 23, 2024

Buy now

U raportua për shtim të forcave ushtarake tek Ura e Ibrit, KFOR: Po vazhdojmë të koordinohemi me EULEX-in dhe Policinë

- Advertisement -

Hapja e Urës së Ibrit është një nga temat kryesore të ditëve të fundit, kjo për shkak të insistimit të Qeverisë për ta hapur atë dhe kundërshtimit nga ndërkombëtarët.

Pavarësisht kundërshtimeve, Qeveria nuk po e ndal punën në Urën e Ibrit.

Edhe sot kanë vazhduar punimet në Urën e Ibrit, por për dallim nga ditët e tjera sot kjo është bërë nën përkujdesjen e KFOR-it dhe të EULEX-it.

Sot gjatë ditës janë parë vetura të blinduara të KFOR-it dhe të EULEX-it.

Në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit, KFOR-i në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se po vazhdojnë të koordinohen me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës.

KFOR-i ka thënë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar.

“Çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ęshtë thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, ka thënë KFOR për lajmi.net.

KFOR ka thënë se misioni i tyre i udhëhequr nga NATO ripohon përkushtimin e palëkundur për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, nën mandatin e tij të gjatë të OKB-së.

Në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit ka reaguar sot edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde i cili ka mbështetur linjat e kuqe të KFOR-it për urën dhe mirëpret koordinimin e Kurtit në lidhje me këtë çështje.

“Veprimet e njëanshme të vitit të kaluar kanë rezultuar me plagosje të ushtarëve të KFOR-it dhe civilëve, dhe kjo nuk duhet të përsëritet. Duhet të merret parasysh këshilla e ndërkombëtarëve. Është e nevojshme një retorikë shtensionimi. Mirëpres koordinimin e përmendur prej kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit”, ka thënë Rohde përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 13 gusht se hapja e urës në këtë kohë rrezikon ushtarët amerikanë, andaj nuk duhet të hapet.

Kurti ka thënë në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 14 gusht, se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për hapjen e urës, fillimisht më 2015, më vonë më 2016, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Hapja e saj është zvarritur disa herë, dhe faktori ndërkombëtar kërkon që kjo çështje të jetë sërish temë dialogu.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit